VLEN: Atyre që Akademinë Shqiptare e quajnë “kuazi-akademi” u themi: futeni kokën në ndonjë vrimë e mos dilni për 20 vitet e ardhshme, pasi keni shkatërruar arsimin dhe kulturën shqiptare
Koalicioni VLEN ka shkruar një reagim lidhur me komentet mbi idenë e institucionalizimit të Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art në Maqedoni të Veriut. Kërkon që ideja të shqyrtohet me arsye dhe gjakftohtësi dhe mos të merret si një institucion paralel me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.
“Para se të reagojmë instiktivisht dhe me emocione, është e drejtë të shtrojmë dilemën pse në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), një institucion kyç për shkencën në vend, deri më sot nuk ka asnjë të punësuar shqiptar? Përse shqiptarët, bashkësia e dytë më e rëndësishme në Maqedoni të Veriut, janë të përjashtuar nga një institucion që duhet të përfaqësojë dhe të mbështesë të gjitha grupet etnike dhe kulturore në vend?
Koalicioni VLEN dëshiron të bëjë me dije se Akademia е Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në Maqedoni të Veriut nuk duhet të shihet si një kundërvënie ose paralelizëm ndaj Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve. Përkundrazi, ne shohim këtë iniciativë si një mundësi për bashkëpunim dhe sinergji mes dy akademive, duke promovuar shkëmbimin e ideve dhe përvojave, dhe duke kontribuar në përparimin e shkencës dhe artit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Themelimi i Akademisë së Shqiptarëve për Shkencë dhe Art përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt avancimit të shkencës, artit dhe kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Ky institucion do të shërbejë si një qendër akademike dhe kulturore që synon të promovojë dhe zhvillojë dijen dhe krijimtarinë në gjuhën dhe traditën shqiptare, duke kontribuar kështu në pasurimin e mozaikut multikulturor të vendit tonë. Ndërsa atyre që Akademinë Shqiptare e quajnë “kuazi-akademi” u themi: futeni kokën në ndonjë vrimë e mos dilni për 20 vitet e ardhshme, pasi ju e keni shkatërruar arsimin dhe kulturën shqiptare. BDI, me kundërshtimin e kësaj nisme, edhe njëherë po dëshmon se është me një vijë me VMRO-DPMNE-në kur ka të bëjë për projekte kombëtare shqiptare.
Koalicioni VLEN bën thirrje që të mbështetet kjo nismë fisnike dhe të angazhohemi në dialog konstruktiv për të siguruar që ky projekt të realizohet me sukses dhe të sjellë përfitime për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ne jemi të bindur se vetëm përmes bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mund të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët më të ndritur”