Ministri i ri i drejtësisë ka kërkuar ekstradimin e të dënuarve të “Monstrës”
Ministri i Drejtësisë Igor Filkov u tha gazetarëve se ka nënshkruar kërkesën për ekstradimin e Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit nga Kosova, të cilët janë dënuar për rastin “Monstra”. Këto kërkesa janë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës dhe pritet një përgjigje. Kërkesa të tilla janë bërë për vite me radhë nga ministra të ndryshëm ndërsa Kosova nuk i ka ekstraduar me arsyetimin se gjykatat vendore nuk kanë dëshmuar në tërësi se ata janë autor të krimit të pesëfishtë tek Liqeni i Smillkovës./
“Kërkesa e dytë për ekstradimin e tyre është dërguar në vitin 2018, ndërsa në vitin 2021 është marrë njoftim nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës se Ismailoviqit i është refuzuar ekstradimi dhe për Demirin nuk ka pasur përgjigje”, sqaroi Filkov.
I pyetur nga njëri prej gazetarëve të pranishëm pse po kërkohet ekstradimi i të dyve nga Kosova pikërisht tani, duke qenë se është e njëjta periudhë kohore me pritjet nga Serbia për ekstradimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, Filkov u përgjigj: “Duhet të fillojmë diku”.
Ministri u pyet edhe nëse do të përsëritet kërkesa për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski nga Hungaria.
“Ministria e Drejtësisë monitoron me shumë vigjilencë të gjitha rastet për të cilat kërkohet ekstradimi. Kërkesa e fundit është e vitit 2019 për të gjitha procedurat. Kërkesa u refuzua nga Hungaria, me arsyetimin se Gruevskit i është dhënë azil dhe personi nuk mund të ekstradohet në shtetin nga ka ardhur. Kur të krijohen kushtet për të njëjtin, sigurisht që do të kërkojmë ekstradim për të gjithë ata që janë jashtë vendit dhe për të cilët është lëshuar fletarrest ndërkombëtar”, tha ministri.