VLEN: Nisma për kontestimin e dygjuhësisë është tentim për grusht shteti
VLEN ka reaguar në lidhje iniciativën në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Nga VLEN thonë se “duke pasur parasysh faktin se iniciativa vjen nga një parti anti-NATO që glorifikon regjimin komunist të Enver Hoxhës, më e pakta që presim është që kjo të refuzohet me konstatimin se është një përpjekje për grusht shteti. Kjo veçanërisht për faktin se bëhet fjalë për kontestimin e procesit të hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pa u thelluar në përmbajtjen e tij”.
Nga VLEN gjithashtu thonë se “nëse një iniciativë e tillë eventualisht pranohet, atëherë hapet Kutia e Pandorës edhe për ndryshimin e emrit kushtetues, i cili gjithashtu u krye pa nënshkrimin e presidentit të atëhershëm të Republikës, Gjorge Ivanov”.
“Sa i përket moralistëve të rremë të opozitës shqiptare, të cilët në çdo kthesë kërkojnë arsye për të krijuar tensione ndëretnike me qëllimin e vetëm për të shpëtuar krimin familjar të Ali Ahmetit, u themi që t’i përgjigjen popullit shqiptar: Çfarë bëtë pesë vite nga viti 2019 deri në vitin 2024 dhe pse nuk e hodhën poshtë mundësinë që Gjykata Kushtetuese të rishikojë përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare?”.
“Në vitet 2009 dhe 2014, ekipi i Ali Ahmetit, me urdhër të Nikolla Gruevskit dhe Sasho Mijallkovit, zgjodhën Gjorge Ivanovin për president të Republikës. Në vitin 2024, ata turpshëm nuk e mbështetën kandidaturën presidenciale të Arben Taravarit dhe kështu penguan shqiptarët që për herë të parë në histori të kenë shansin për fitore në raundin e dytë”.
“Kjo është një dëshmi e drejtpërdrejtë e hipokrizisë së BDI-së, të cilët në çdo hap lënë kurthe të fshehta për interesat e shqiptarëve. Është koha e fundit që të ndalojnë nënvlerësimin e inteligjencës së popullit shqiptar dhe të pranojnë përgjegjësinë për politikat e tyre të gabuara, të papërgjegjshme dhe kriminale”, thonë nga VLEN.