“Për t’u bërë idare” ju duhen fiks 1000 euro, thotë Enti
Për 629 denarë janë rritur shpenzimet minimale për një familje në muajin gusht, krahasuar me muajin korrik, ka njoftuar sot Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, e cila e përpunon shportën minimale.
Sipas përllogaritjes së LSM-së, shporta minimale është 61.199 denarë.
Në periudhën nga janari deri në muajin gusht, shporta minimale është rritur për 4.036 denarë, ndërsa që kur përllogaritet me metodologjinë e re, gjegjësisht nga gushti i vitit të kaluar, deri në gusht këtë vit është rritur për 4.677 denarë.
“Të dhënat nga shporta minimale sindikaliste, tregojnë se edhe pa rritjen e rrogave, shpenzimet për jetë po rriten në mënyrë marramendëse, nuk ka arsyetim për këtë, ndërsa askush nuk po tenton që të pengojë këtë, ndërsa kjo bën që qytetarët, punëtorët dhe pensionistët të jenë edhe më të varfër”, thonë nga LSM, përcjell SHENJA.