Botë Lajme

Kryediplomati turk: Autorët e masakrës në Gaza nuk duhet të mbeten pandëshkuar

Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiyes, Hakan Fidan, tha se autorët e masakrës në Gaza nuk duhet të mbeten të pandëshkuar, raporton Anadolu.

Fidan foli në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur pas takimit të tij me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, që u zhvillua në zyrën e punës presidenciale Dolmabahçe në Istanbul.

Kryediplomati turk ka deklaruar se komuniteti ndërkombëtar e ka detyrim të ushtrojë presion mbi Izraelin në lidhje me ndihmën humanitare për Gazën dhe të parandalojë që palestinezët të dënohen me uri.

“Autorët e masakrës në Gaza nuk duhet të mbeten të pandëshkuar. Këta vrasës herët apo vonë duhet të mbajnë përgjegjësi në gjykatat ndërkombëtare”, tha Fidan.

Fidan rikujtoi se Türkiye e mbështeti çështjen e gjenocidit të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit që në momentin e parë dhe se ajo është përfshirë në çështjen e ngritur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

“Ata që mbështesin Izraelin pa kushte janë bashkëfajtorë në masakrën në Gaza”

Rajoni nuk mund të tolerojë më shumë tensione, konflikte dhe luftëra të reja, tha Fidan, duke theksuar se Izraeli duhet të ndalet patjetër.

“Unë u bëj thirrje atyre që mbështesin Izraelin pa kushte dhe vendeve që dërgojnë vazhdimisht armë në Izrael. Është e qartë se kush po e përshkallëzon tensionin. Hiqni dorë nga zakoni për t‘ia prerë faturën (fajësuar) vendit të gabuar. Rruga për të siguruar paqen dhe qetësinë në Lindjen e Mesme kalon përmes frenimit të çmendurive të Izraelit. Ata që mbështesin Izraelin pa kushte janë bashkëfajtorë në masakrën në Gaza”, u shpreh ndër të tjera Fidan.

Pasi tha se Izraeli duhet të ndalet nëse nuk dëshiron të mbesë më shumë nën këtë mëkat, Fidan shtoi se “Si Türkiye ne duam paqe dhe qetësi në rajonin tonë”.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *