Ibrahimi: Qeveria e kaluar e miratoi një Strategji për largimin e balancuesit, ligji për përfaqësim të drejt shumë shpejt do të jetë në Kuvend
Zeqirija Ibrahimi, lider i Alternativës në Intervistën e ditës të Alsat-M komentoi shfuqizimin e mekanizmit të balancuesit në procesin e punësimeve.
Ai përmendi abuzimet e shumta të këtij mekanizmi që kanë ndodhur në të kaluarën dhe që kanë sjell deri në një kaos dhe përfaqësim jo të drejt.
Theksoi se në kohën kur nuk kishte balancues nga viti 2007 deri në vitin 2015 përfaqësimi i shqiptarëve pa balancues ishte shumë më i madh sesa prej vitit 2015 e deri në vitin 2022.
“Fillimisht më duhet të sqaroj se çështja e balancuesit është një pikë me të cilën është abuzuar shumë në të kaluarën. Edhe qeveria që iku e kishte të miratuar një Strategji për ta larguar balancuesin pikërisht për shkak se ka pasur abuzime të shumta. Nga viti 2007 deri në vitin 2015 nuk ka pasur fare mekanizëm të balancuesit dhe është rritur përqindja e përfaqësimit të shqiptarëve. Dhe pastaj me vendosjen e mekanizmit të balancuesit në të shumtën e rasteve është abuzuar. Dhe kjo nga viti 2015 deri në vitin 2022 nuk është rritur as për 1.7 % punësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore. Andaj kjo gjë për neve është cështje themelore. Për shkak se ka pasur shumë akuza në opinion, se këta që akuzojnë pse gjatë pushtetit të tyre gjatë 22 viteve nuk e kanë miratuar as edhe një ligj me të cilën do të sanksiononin mënyrën e përfaqësimit të drejt dhe adekuat të bashkësive joshumicë në Maqedoninë e Veriut. Derisa këta nuk e kanë sanksionuar me ligj zgjidhjen e përfaqësimit të drejt dhe adekuat të bashkësive joshumicë atyre u merret e drejta që të akuzojnë pse tash u merret e drejta e balancuesit. Koalicioni VLEN e ka hartuar një draft ligj për përfaqësimin e drejt dhe adekuat të jo vetëm të bashkësive jo shumicë, por edhe të gjitha grupeve të margjinalizuara në shtet. Fjala bie, aty është zgjidhur edhe cështja e përfaqësimit të grave në administratën publike. Aty është zgjidhur edhe cështja e përfaqësimit të personave me nevoja të vecanta. Dhe ky ligj është në diskutim e sipër fillimisht në grupin e ekspertëve të koalicionit VLEN. Besoj se javën tjetër ose në fund të muajit të jetë në diskutim edhe me partnerët tanë qeveritar. Do të kemi konsultime edhe me ekspert të Këshillit të Evropës dhe OSBE-së. Që të prodhojmë një ligj i cili e zgjidh një problem shumëvjeçar që ka ekzistuar me përfaqësimin e drejt dhe adekuatë që është edhe pjesë e Marrëveshjes së Ohrit dhe detyrim kushtetues. Por që fatkeqësisht deri tash nuk ka pasur zgjidhje ligjore. Unë jam i sigurt se ligji shumë shpejt do e kemi gati dhe do e dorëzojmë për miratim në Kuvendin Republikan”, deklaroi midis tjerash Ibrahimi.