Ibrahimi: Edhe Universiteti i Tetovës njëjtë si Akademia shqiptare fillimisht u përkrah financiarisht nga tre komuna shqiptare
Zeqirija Ibrahimi, lider i Alternativës në Intervistën e ditës të Alsat-M komentoi pyetjen e gazetarit në lidhje me deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickovski në lidhje me Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave të Maqedonisë së Veriut.
Ai midis tjerash deklaroi se askush nuk mund të shuaj shpresat për një projekt të nisur nga akademikët dhe se nuk ka asgjë kontestuese në mënyrën e financimit të kësaj Akademie duke dhanë si shembull edhe themelimin e Universitetit të Tetovës.
“ Nuk kisha thënë se zotëri Mickovski e ka ndërprerë ecurinë për akademinë për shkak se Akademia nuk është cështje që e kemi nxitur ne ose që jemi duke e bërë ne. Ajo është punë që e nxisin akademikët shqiptarë dhe ne jemi vetëm ata që e kemi mbështetur dhe e kemi inkurajuar që ta vazhdojnë atë projekt. Për shkak se ende nuk ekziston një kornizë ligjore që Akademia e Shkencave dhe Arteve të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut të funksionojë siç funksionon ASHAM, ne jemi të gatshëm që ta ndihmojmë zhvillimin e asaj Akademie me fondet të cilat gjenerohen nga komunat. Për tu mbajtur në këmbë kjo Akademi, nuk është e rëndësisshme se nga janë fondet, po është e rëndësishme që ajo të funksionojë dhe të bëhen projektet aty. Kurse është pjesë e përgjegjësisë të koalicionit VLEN që në të ardhmen që kjo Akademi të futet në kornizën ligjore të Maqedonisë së Veriut dhe financimi i saj të bëhet nga të ardhurat e buxhetit qëndror. Kjo nuk d.m.th. se nuk po ecë Akademia. Akademia po ecë dhe ata tashmë e kanë buxhetin e përcaktuar dhe planet vjetore të cilat janë të mbështetur fillimisht nga katër komuna shqiptare, e mëtej ka mundësi të bashkohet edhe ndonjë komunë tjetër. Për informacion të opinionit, më duhet të them se edhe Universiteti i Tetovës kur është themeluar në vitin 1994 ka qenë e përkrahur financiarisht nga tre komunat shqiptare, e Tetovës, Gostivarit dhe e Dibrës. Nuk është hera e parë që bashkësitë e vetqeverisjes lokale e nxisin ose e japin shkëndijen e parë të krijimit të një projekti shkencor. E që pastaj ajo të zhvillohet dhe të përfundoje si një Akademi e zyrtarizuar në kuadër të shtetit tonë”, deklaroi midis tjerash Ibrahimi.