Lajme Maqedoni e Veriut

Ibrahimi: Me Qeverinë e re do ketë “boom ekonomik”

Sekretari i përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi në emisionin “DailyClick” në Tv21 tha se çështja e formimit të Qeverisë është në fazën finale dhe ka mbetur që mandatari ta propozojë përbërjen e re në Kuvend dhe më pas të votohet.
Ibrahimi tha se në programin e ri qeveritar ka shumë gjëra që do të përfshihen e që kanë qenë premtime parazgjedhore të koalicionit VLEN.
“Ka patur gjëra që kanë qenë ekskluzivisht të koalicionit VLEN dhe të cilat janë diskutuar edhe me parametra financiare dhe me parametra kohor për të parë se si bëhen dhe kur bëhen. Ajo që ndoshta është më e rëndësishme për qytetarët është se edhe kjo Qeveri e ruan kursin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe nuk ka asnjë shkarje nga ajo rrugë”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi shtoi se pjesa tjetër ka qenë e lidhur me zhvillimin ekonomik ndërsa u shfaq i bindur se kjo Qeveri do të ketë “një boom ekonomik”.
“Edhe rritjes ekonomike të shtetit edhe në kuptim të hapjes së vendeve të punës, rritjes së rrogave, rritjes së cilësisë së jetës. Një pjesë e madhe e diskutimeve ka qenë në fushën e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, ka patur shumë diskutime rreth çështjeve të arsimit, për shkak se ne jemi shumë të fokusuar shumë në reformat në arsim”, deklaroi më tej Ibrahimi.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *