Lajme Maqedoni e Veriut

Ekspozim më të madh ndaj korrupsionit kanë ministritë e Arsimit, Mjedisit dhe MPB-ja

Qendra për Komunikime Qytetare (QKQ) sot publikoi dokumentin për rangimin e Qeverisë, ministrive dhe komunave në bazë të 32 treguesve për performansat për parandalim të korrupsionit në prokurimet publike. Institucionet janë të ranguara në tre zona – e kuqe, e verdhë dhe zona e gjelbër, varësisht nga pikët e fituara për mënyrën se si ato i zbatojnë prokurimet publike. Niveli maksimal i mbrojtjes është e paraqitur me 100 %, ndërsa niveli me aspak mbrojtje nga korrupsioni është paraqitur me 0 %. Asnjëri institucion nuk është në zonën e gjelbër të nivelit të lartë të mbrojtjes nga korrupsioni, me realizim të performansave për parandalim të korrupsionit prej më tepër se 80 %, transmeton Portalb.mk.

4 ministri dhe 43 komuna gjenden në zonën e kuqe, përkatësisht procedurat e tyre për prokurime publike zbatohen me nivel të ulët të mbrojtjes nga korrupsioni për shkak se këto kanë fituar më pak se 50 %.

“Ekspozimin më të madh ndaj korrupsionit e kanë Ministria për Arsim dhe Shkencë, Ministria për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Ministria për Punë të Brendshme si dhe Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive”, thuhet në dokument.

Te grupi i komunave, niveli më i ulët i realizimit të performansave për parandalim të korrupsionit në prokurimet publike është konstatuar në komunën Kratovë dhe komunën Gostivar. Në zonën e kuqe është edhe Qyteti i Shkupit, si dhe 40 komuna tjera.

Performansat më të larta për parandalim të korrupsionit janë konstatuar në Ministrinë për Mbrojtje dhe Ministrinë për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi me Ujëra, me një nivel prej 72 % në realizimin e performansave për parandalim të korrupsionit. Te komunat, realizimin më të lartë të performansave për parandalim të korrupsionit në prokurimet publike e ka Komuna e Kavadarit, edhe atë deri 70 %, si dhe komunat Veles dhe Probishtip me 66 %.

Niveli i ulët i mbrojtjes, nuk nënkupton doemos që ka korrupsion në prokurimet publike të institucionit konkret, por se nuk ndërmerren të gjitha masat e mundshme, të cilat duhet të parandalojnë korrupsionin dhe si rrjedhojë, më e madhe është mundësia që në këto institucione të ndodh korrupsion.

Ky rangim është përpunuar në kuadër të programit “Qytetarët kundër korrupsionit”, i përkrahur nga USAID.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet një regjim hibrid në raportin e fundit të Freedom House “Kombet në tranzit”. Freedom House në atë kategori vendos 11 vende, të cilat kanë karakteristika të autokracisë dhe demokracisë. Për shkak se ato nuk i përkasin plotësisht asnjërit bllok, institucionet e tyre janë të cenueshme, gjë që në vitin 2023 ka çuar në më shumë regres sesa avancim, thuhet në raport.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *