Lajme Maqedoni e Veriut

Dramës së emërimeve në Kushtetuese i erdhi fundi, Darko Kostadinovski zgjidhet kryetar

Darko Kostadinovski është zgjedhur kryetar i Gjykatës Kushtetuese pas nëntë raundeve të votimit. Gjykatësit sot në mëngjes patën takim koordinues dhe vendosën të mbajnë seancë në të cilën Kostadinovski mori 6 votat e nevojshme.

Kostadinovski në të kaluarën ka pasur më shumë karrierë politike sesa juridike. Ai u zgjodh gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese me propozim të presidentit Gjorge Ivanov në janar të vitit 2018. Pastaj Ivanov së bashku me të propozuan dhe zgjodhën Osman Kadriun, për ti cilin u votua dje, por nuk mori shumicën e nevojshme për kryetar.

Darko Kostadinovski ishte anëtar i kabinetit të Presidentit Boris Trajkovski që nga viti 2001. Që nga viti 2006 ai drejtoi departamentin për Bashkimin Evropian dhe NATO në zyrën e presidentit Branko Cërvenkovski. Dhe pastaj ishte në administratën e Gjorge Ivanovit.

Ndryshe, të enjten dhe të premten dështuan gjashtë tentativat për të zgjedhur kryetarin e ri të Gjykatës. Dje gjyqtarja Ana Pavlovska-Daneva e tërhoqi kandidaturën, por kundërshtarja e saj Tatjana Vasiq-Bosadxhieva nuk u dorëzua, por megjithatë nuk mori shumicën e kërkuar.

Mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese është tre vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje. Mandati i Darko Kostadinovskit në Gjykatën Kushtetuese përfundon në janar të vitit 2027./Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *