Deputetët nga nesër do të jenë me pushime
Deputetët nga nesër e deri më 2 shtator do të shfrytëzojnë zyrtarisht pushimet e tyre vjetore, të cilat këtë vit janë vonuar për shkak të ribalancimit të Buxhetit. Zakonisht deputetët janë me pushime çdo vit nga 1 gushti deri në fillim të shtatorit.
“Deputetët do të jenë me pushime nga 15 gushti deri më 2 shtator, por meqë Kuvendi është në seancë të vazhdueshme, nuk përjashtohet mundësia e thirrjes së seancave të trupave punues apo seancë plenare nëse është emergjente”, thonë nga Zyra e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.
Që nga fillimi i punës së kësaj përbërje parlamentare më 28 maj janë mbajtur dhjetë seanca dhe e fundit ishte dje kur u miratuan ndryshimet në Ligjin për kujdesin shëndetësor dhe u hoqën drejtorët ekonomikë nëpër klinika.