Lajme Maqedoni e Veriut

Zëvendëskryeministri Fetai i shpalli luftë të pa-kompromis korrupsionit

Nga qindra institucione sa ka në Maqedoninë e veriut, gjatë qeverisë së kaluar, kanë dorëzuar raport për parandalim të korrupsionit vetëm dyzet të atilla. Zëvendës kryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai tha se po rishikohet mundësia e detyrimit të institucioneve për dorëzimin e këtij lloji të raportit, me qëllim përmirësimin e luftës kundër korrupsionit.

“Kjo nismë është përkrahur nga Ambasada Amerikane dhe USAID, dhe tani jemi në proces të rishqyrtimit të metodologjisë për të parë se përse nuk ka funksionuar aty ku nuk ka funksionuar dhe si mund ta bëjmë këtë mekanizëm me qëllim që institucionet të detyrohen ta marrin këtë çështje shumë seriozisht. Por ju thash se para së gjithash kjo ndodh si mungesë e vullnetit politik që vërehet në çdo fushe në luftën kundër korrupsionit. Ne kemi në letër Ligje shumë të mira në këtë drejtim por problemi kryesor qëndron te mos zbatimi i tyre sepse nuk ka pasur vullnet politik që me të vërtetë të luftohet korrupsioni”, deklaroi Arben Fetai, zv. kryeministër për qeverisje të mirë.

Fetai këto komente i bëri gjatë vizitës në Gostivar, të cilën e cilësoi si komuna me transparencë më të lartë në vend. Ushtruesi i detyrës kryetar i Gostivarit Valbon Limani, paralajmëroi edhe një linjë për paraqitjen e korrupsionit në nivel lokal

“Një nga idetë ishte që komuna e Gostivarit të vendos një linjë telefonike për qytetarët tanë që të mund të paraqesin korrupsionin në nivel lokal dhe gjitha institucionet që kanë të bëjnë me komunën e Gostivarit si dhe një email i posaçëm zyrtar për paraqitjen e këtyre rasteve. Po ashtu biseduam edhe për organizimin e një debati në shtator me zv kryeministrin dhe gjithë aktorët tjerë që kanë të bëjnë me institucionet”, tha Valbon Limani. UD Kryetar i komunës së Gostivarit.

Me qëllim hartimin e një plani për luftën kundër korrupsionit, zv. kryeministri Arben Fetai paralajmëroi intensifikimin e aktiviteteve edhe me komunat dhe institucionet e tjera. /Alsat.mk

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *