Zeqirija Ibrahimi: Ne e fituam votën shqiptare, atyre sondazhet u imponuan koalicion multientik
Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, në emisionin Klan Debat theksoi se koalicioni VLEN me 107 mijë vota është përfaqësues legjitim i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, pasi “Fronti Europian” e braktisi garën etnike dhe bëri koalicion me partitë e etnive të tjera. Ibrahimi shpjegoi se sondazhet e BDI-së i dëshmuan se do të humbin garën etnike, prandaj kërkoi shpëtim me koalicion multietnik.
“Ne kemi qenë në garë që ta marrim votën shqiptare dhe e kemi marrë votën shqiptare, do të thotë jemi përfaqësuesit legjitim të votës shqiptare. Ata që i ikën kësaj gare, i dijnë arsyet. Në sondazhet që i kanë bërë, ka dalë humbës të votës shqiptare dhe kanë bërë koalicion me etnitë e tjera”, tha Ibrahimi.
Ai tha se Ali Ahmeti ka kërkuar gjatë gjithë kohës që opozita të bëhet bashkë, ndërsa kur kjo u realizua, iku nga ballafaqimi dhe kërkoi shpëtim te elektoratet e bashkësive të tjera etnike.
“Nëse Ali Ahmeti ka frikë të ballafaqohet me elektoratin shqiptar dhe kërkon shpëtim te elektorati rom, ajo flet për gjendjen e tyre”, theksoi Ibrahimi.