Lajme Maqedoni e Veriut

VMRO dhe LSDM reagojnë pse Gashi bëri dua për Srebrenicën në Kuvend

Për ngjarjen e organizuar në Kuvend, për përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë, ku kryeparlamentari Afrim Gashi bëri dua kanë reaguar nga VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se i respektojnë të gjitha fetë dhe ritet fetare, por shtojnë se Kuvendi nuk është dhe nuk guxon të jetë vend për organizimin e ceremonive fetare, pasi që siç shtojnë Maqedonia me Kushtetutë është përcaktuar qartë si shtet laik.

“Ne i respektojmë të gjitha fetë dhe ritet fetare. Por, duam të theksojmë se Kuvendi nuk është dhe nuk guxon të jetë vend për organizimin e ndonjë ceremonie fetare, sepse Maqedonia me Kushtetutë është e përcaktuar qartë si shtet laik. Tek ne nuk ka vend për ritualet fetare në institucionet shtetërore dhe as shteti nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punën e bashkësive fetare. Në lidhje me ngjarjen e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, ku njëri nga pjesëmarrësit abuzoi me ftesën dhe organizoi një lutje islame në këtë institucion shtetëror, shprehim dënimin më të ashpër. Me këtë procedurë nuk bëhet asnjë respekt për viktimat e Srebrenicës, por përkundrazi, kjo paraqet keqpërdorim të rëndë të kësaj tragjedie për të fituar pikë politike. Tragjedia e Srebrenicës duhet të jetë një kujtesë e rëndësisë së paqes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, jo një rast për konflikte dhe ndarje të panevojshme”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Ndërkaq, për këtë ka reaguar edhe opozitarja LSDM. Thonë se ritet fetare nuk kanë vend në Kuvendin e RMV-së. Nga atje u bëjnë thirrje institucioneve kompetente që të veprojnë dhe për këtë rast të ketë përgjegjësi.

“Ritet fetare nuk kanë vend në Kuvendin e Maqedonisë dhe në asnjë institucion shtetëror. Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, përndryshe partner koalicioni i VMRO-DPMNE-së, me këtë hap shkeli laicitetin e shtetit, është mosrespektim i Kushtetutës. LSDM u bën thirrje institucioneve kompetente që të veprojnë dhe të ketë përgjegjësi për këtë rast”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *