Lajme Maqedoni e Veriut Top

VLEN: Strukturat korruptive filluan të shemben, drejtësia fillon të triumfojë

Ky është momenti kur drejtësia fillon të triumfojë, kur strukturat korruptive fillojnë të shemben dhe kur populli përfundimisht do të rikthejë dinjitetin e tij, shprehen nga VLEN.

Nga ky koalicion zotohen se me përgjegjësinë dhe vendosmërinë më të madhe, marrin hapat e nevojshëm për të përmbushur premtimet e dhëna para popullit – jo vetëm eliminimin e lojërave të fatit nga shtëpitë e qytetarëve, por edhe shkuljen e plotë të marrëveshjeve korruptive që e helmuan shtetin tonë për vite me radhë.

“Kjo nuk është vetëm një luftë kundër lojërave të fatit; kjo është një luftë kundër korrupsionit që ua merr të ardhmen fëmijëve tanë! Koalicioni VLEN dhe kjo Qeveri janë këtu për të treguar se çdo marrëveshje që është bërë mbi shpinën e qytetarëve, çdo kontratë që e varfëroi shtetin, do të shkatërrohet! Kjo është koha kur padrejtësia bie në gjunjë para vullnetit të popullit!”, thonë nga VLEN.

Gjatë periudhës së kaluar, koalicioni VLEN shprehet se ishim dëshmitarë të korrupsionit të thellë dhe mosrespektimit të ligjeve nga ana e qeverisë së kaluar, e cila jo vetëm që mundësoi që lojërat e fatit të hynin në çdo shtëpi përmes internetit, por gjithashtu nënshkroi marrëveshje që shërbenin drejtpërdrejt për interesa dhe përfitime personale.

“Veçanërisht shqetësues ishte rasti i marrëveshjes mes Loterisë Shtetërore dhe kompanisë “Hej DOOEL”, me vlerë 2.26 milion euro, e cila lidhet me qiranë e një hapësire tregtare në Shkup për një periudhë disa vjeçare. Pronari i parë i kësaj kompanie ishte Armin Mashoviq, ish-partner biznesi i Erdzhan Sulkoskit, i cili ishte i lidhur me familjen e liderit të BDI-së, Kushtrim Smajlaj. Drejtues i parë i “Hej DOOEL” ishte Natyra Grubi Bela, kushërira e ish- zëvendës kryeministrit dhe kokës së bixhozit, Artan Grubi. Më pas, pronësinë e kompanisë e mori Asmir Jahoski, pronari i “Pucko Petrol” dhe djali i ish-kryetarit të komunës së Pllasnicës dhe deputet aktual nga radhët e BDI-së”, shprehen nga VLEN.

Deri në gusht të vitit 2024, për vetëm 13 muaj, Loteria Shtetërore i kishte paguar “Pucko Petrol” mbi 300,000 euro për qiranë e kësaj hapësire tregtare, gjë që tregon qartë se skemat korruptive në RMV ishin të thella dhe sistematikisht të organizuara.

“Koalicioni VLEN nuk do të lejojë që këto padrejtësi të vazhdojnë! Qeveria, në të cilën merr pjesë Koalicioni VLEN, dje miratoi informacionin me të cilin merren masa konkrete për shkëputjen e kësaj marrëveshjeje korruptive. Ky është vetëm hapi i parë në planin tonë për reduktimin dhe eliminimin e plotë të lojërave të fatit nga shtëpitë dhe shoqëritë tona, si dhe për vendosjen e sundimit të vërtetë të ligjit. Qytetarët tashmë janë shprehur qartë dhe me njëzë: ata nuk duan që fëmijët e tyre të rriten në një mjedis ku lojërat e fatit bëhen përditshmëri. Prandaj, me kërkesën e shumicës parlamentare, miratuam interpretimin autentik të Ligjit për lojërat e fatit, me të cilin përfunduam epokën e lojërave të fatit online”, shprehen ata.

Plani i Koalicionit VLEN për të përballuar pasojat e lojërave të fatit është i qartë dhe vendimtar:

1.    Të ngrihen procedura gjyqësore për keqpërdorimin e pozitave zyrtare dhe autorizimeve të të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në marrjen e vendimeve të paligjshme lidhur me lojërat e fatit.
2.    Të reduktohet numri i objekteve të lojërave të fatit për të paktën 50%, për të ulur ndikimin e dëmshëm të lojërave të fatit në shoqëri.
3.    Të propozohet një ligj i ri për lojërat e fatit, i cili do të kufizojë aktivitetet e dëmshme dhe do të mundësojë rregullimin e rreptë të kësaj industrie.

Nga VLEN janë shprehur se mbeten të përkushtuar ndaj misionit të tyre – të luftojë kundër korrupsionit, të mbrojë popullin dhe të ndërtojë një të ardhme të shëndetshme dhe të drejtë për të gjithë ne.

“Ky është vetëm fillimi i luftës tonë. Së bashku do t’i shkatërrojmë rrjetet korruptive dhe do të krijojmë një shtet më të mirë për brezat e ardhshëm”, thonë nga VLEN.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *