VLEN: BDI si “i mbyturi që kapet për fije kashte”, e gatshme të shkaktojë krizë për të mos e pranuar humbjen

Koalicioni i partive shqiptare në opozitë VLEN ka ngritur dyshime për plane të partisë shqiptare në pushtet BDI, për të shkaktuar krizë politike që do të sabotonte zgjedhjet e drejta dhe demokratike. Duke u thirrur në një raport të OSBE- ODIHR- së që parashikon zgjedhje të pasigurta dhe jostabilitet të mundshëm, VLEN dyshon se kjo është një terren i parapërgatitur nga BDI për të arsyetuar trazirat që po i përgatitë për të mos pranuar humbjen.
“Asnjëherë më parë BDI-ja nuk është dukur më e hutuar dhe më e frikësuar. Duke u nisur nga fjala e urtë popullore se “i mbyturi kapet për fije kashte”, duke e marrë parasysh Raportin e ODIHR-së që parashikon jostabilitet të mundshëm dhe zgjedhje të pasigurta, kemi të drejtë të dyshojmë se BDI-ja është e gatshme të shkaktojë krizë politike për të mos e pranuar humbjen e sigurt që vjen”, deklaroi Orhan Murtezani nga VLEN.
Murtezani numëroi disa lëvizje të BDI-së që sipas tyre, arsyetojnë tezën e përgatitjes së terrenit për trazira.
“Së pari, Ali Ahmeti deklaroi në shkurt në Kosovë se tani nuk është koha për president shqiptar. Së dyti, Artan Grubi, kur BDI-ja u bë e vetëdijshme se nuk mund të gjejnë mënyrë ta pengojnë VLEN-in të ketë kandidat presidencial, publikoi në Fejsbuk “Vetëm Ali Ahmeti”, duke aluduar se ai do të jetë kandidati i tyre për president. Së treti, kur Arben Taravari njoftoi se do të bëhej kandidat për president i VLEN-it, Ali Ahmeti u frikësua se do të mposhtej dhe vendosi të sakrifikojë Bujar Osmanin me idenë e ndryshimeve kushtetuese për ndryshimin e zgjedhjes së presidentit dhe futjen e funksionit zëvendëskryetar, si kusht i BDI-së për çfarëdo koalicioni me partitë maqedonase. Më pas, në promovimin e Bujar Osmanit në Sallën “Kale”, Ali Ahmeti doli me tezën e katërt “Haxhi Pishmani”, përkatësisht e promovoi sloganin “Erdhi koha për presidentin e parë shqiptar”, deklaroi Orhan Murtezani nga VLEN.
Murtezani poashtu theksoi se kandidati për president i BDI-së deri dje ishte kryesues i OSBE-së dhe kishte ose duhej të kishte qasje dhe të ketë marrë pjesë në hartimin e raportit të OSBE-ODIHR-së lidhur me trazirat.