Unicef: Institucionet arsimore në RMV të përgatiten për goditjen nga i nxehti
Institucionet arsimore në Maqedoninë e Veriut të përgatiten për goditjen nga nxehtësia për të shmangur mbylljen e shkollave apo zgjatjen e pushimeve verore për shkak të temperaturave ekstreme, ndërsa mësimdhënësit dhe prindërit duhet të aftësohen për t’iu përgjigjur stresit të nxehtësisë, vlerëson UNICEF-i.
Në analizën e fundit të publikuar sot, UNICEF gjithashtu thekson se ka nevojë për të investuar në një plan veprimi të përditësuar shëndetësor për përballje me temperaturat e larta, si dhe në kujdesin parësor shëndetësor, për të siguruar mbështetjen e duhur për parandalimin, reagimin e hershëm, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve tek fëmijët të shkaktuar nga nxehtësia. Plani duhet t’u japë përparësi fëmijëve më të prekur, përfshirë ata që jetojnë në varfëri, në kushte banimi nën standarde, me aftësi të kufizuara dhe fëmijët që jetojnë dhe punojnë në rrugë.
Sipas UNICEF-it, duke pasur parasysh se të mëdha janë gjasat që familjet me të ardhura më të ulëta të përballen me rrezik më të madh të ekspozimit ndaj nxehtësisë dhe kanë kapacitet të reduktuar të përballjes dhe se valët e të nxehtit ndikojnë gjithashtu në jetesën e familjes, ekziston nevoja për përgjigje më të gjerë kombëtare për të kuptuar ndikimin socio-ekonomikë të valëve të të nxehtit dhe futjen e ndërhyrjeve sociale – siç është ndihma në para dhe shërbime sociale për familjet në nevojë, për të ndihmuar familjet të përballen me efektet socio-ekonomike të të nxehtit ekstrem.
“Në Maqedoninë e Veriut, megjithëse nxehtësia nuk është faktori kryesor që kontribuon në vdekshmërinë e foshnjave, ekspozimi ndaj valëve të shpeshta të të nxehtit vazhdon të jetë shqetësim, duke imponuar që politikat kombëtare klimatike-mjedisore vazhdimisht t’i kenë parasysh fëmijët dhe të rinjtë. Duhet të mendohet për adaptimin e institucioneve parashkollore dhe arsimore dhe trajnimin e mësimdhënësve dhe prindërve për t’iu përgjigjur stresit të nxehtësisë. Adaptimi i shkollave shpesh parashikohet sepse valët e të nxehtit zakonisht ndodhin gjatë pushimeve verore. Por me që ndryshimet klimatike çojnë në valë më të shpeshta të të nxehtit dhe periudha të temperaturave të larta si në fund të pranverës ashtu edhe në fillim të vjeshtës, institucionet arsimore duhet të përgatiten për goditjen nga të nxehti për të shmangur mbylljen e shkollave ose vazhdimin e pushimit veror për shkak të temperaturave ekstreme.
Hulumtimi përfshin të dhëna nga 23 vende dhe tregon se nxehtësia në rritje në Evropë dhe Azi Qendrore vret pothuajse 400 fëmijë në vit. Në vitin 2021, si pasojë e temperaturave gjithnjë e më të larta vdiqën rreth 377 fëmijë.
“Rreth gjysma e fëmijëve në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore ose 92 milionë fëmijë, tashmë janë ekspozuar ndaj valës së shpeshte të të nxehtit në rajonin ku temperaturat rriten me ritmin më të shpejtë në botë. Temperaturat gjithnjë e më të larta mund të shkaktojnë komplikime serioze shëndetësore tek fëmijët, veçanërisht tek më të vegjlit, edhe për një kohë të shkurtër. Pa kujdesin e duhur, komplikime të tilla mund të jenë kërcënuese për jetën”, tha Regina De Dominisis, drejtoreshë rajonale e UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore.
UNICEF-i po punon me qeveritë, partnerët dhe komunitetet nga i gjithë rajoni për të ngritur rezistencë ndaj valës së të nxehtit. Kjo nënkupton aftësimin e mësimdhënësve, punonjësve të shëndetit në komunitet dhe familjeve me aftësi dhe njohuri për të reaguar ndaj stresit të nxehtësisë, nënvizon UNICEF-i.