Të punësuarit në Postë sot protestojnë për paga dhe kërkojnë reforma
Të punësuarit në ShA Posta e Maqedonisë do të mbajnë sot (22 maj) protestë në të gjitha filialet në vend, duke kërkuar pagesën e pagës së muajit prill dhe fillimin e menjëhershëm të reformave për riorganizim dhe optimizim në punë, transmeton Portalb.mk.
“Për shkak të seriozitetit të situatës në të cilën është sjellë ekzistimi i ShA Posta e RMV-së, ruajtja e vendeve të punës të punonjësve dhe e jetesës së familjeve të tyre, organizatave sindikale dhe punonjësve më 22.05.2024 (e mërkurë) me fillimin e orarit të punës nga ora 08:00 do të mbajë protestë në të gjitha filialet në Maqedoni”, njoftuan nga sindikata e SHA Posta.
Sindikata e Postës së Maqedonisë më 14 prill njoftoi se në bashkëpunim me punëtorët dhe me angazhimin e ekspertëve do të përgatisë sistematizim të ri që do t’ia dorëzojë qeverisë së re me kërkesë që të aplikohet menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare. Sindikata ankohet se as Bordi Drejtues dhe as Qeveria si themelues i kompanisë nuk iu përgjigjën thirrjeve të tyre për zgjidhjen e kushteve të këqija në Postë.
Posta është në prag të ekzistencës, tha atëkohë kryetari i sindikatës Boro Veligdenov në një konferencë për shtyp para Qeverisë, duke shtuar se janë në rrezik mbi 2000 vende pune.
Sipas tij, është e rëndësishme që politika e keqe kadrovike dhe partizimi të mos vazhdojë, ndërsa si problem kyç e vuri në dukje sistematizimin.
Punonjësit e Postës së Maqedonisë me 18 mars, dolën në protestë dy orëshe për, siç thanë ata, gjendjen e rëndë financiare të shoqërisë aksionare. Punonjësit nuk e kishin marrë rrogë, ndonëse afati ligjor kishte kaluar. Ata thanë se kjo situatë vjen si pasojë e mbipunësimit në administratë dhe në pozita drejtuese.