Lajme Maqedoni e Veriut

Rrezelinda Dauti distancohet nga Taravari: “Distancohem nga rruga e një individi, jo nga beteja jonë”

Shkup, 27 maj 2025 – Anëtarja e Kryesisë së Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët (FRASH), Rrezelinda Dauti, ka bërë publike largimin e saj nga drejtimi aktual i këtij forumi, duke theksuar se ky vendim vjen si pasojë e humbjes së vlerave të cilat ajo i ka përfaqësuar që nga fillimi i angazhimit të saj politik.

Në një deklaratë të shpërndarë për publikun, Dauti shpreh zhgënjimin e saj ndaj udhëheqësit aktual të partisë, duke theksuar se kauza e saj ka qenë gjithmonë besimi në drejtësi, demokraci dhe vullnetin e popullit – jo në një individ të caktuar.

“Kauza ime është besimi në një ide, jo në një person. Besova në superioritetin e drejtësisë, fuqinë e demokracisë dhe shenjtërinë e vullnetit të popullit. Por fakti që lideri aktual nuk ecën më me këto vlera, e bën të pamundur që unë të vazhdoj me të në një drejtim të dyshimtë,” shprehet Dauti.

Ajo nënvizon se gabimet janë të natyrshme për çdo lider, por nëse ato kthehen në praktikë të përhershme dhe parimet lihen pas dore për ambicie personale, atëherë është koha për rezistencë.

“Jam e vendosur t’i rezistoj padrejtësive dhe të mos përkulem,” thotë ajo, duke theksuar se ndarja e saj është nga drejtimi aktual, e jo nga beteja për të cilën u angazhua që në fillim.

Rrezelinda Dauti thekson se vazhdon të besojë në potencialin e rinisë dhe shpresën për ndryshim në vend, duke përmendur rritjen e numrit të të rinjve që guxojnë të thonë “jo” kur është e nevojshme.

Në fund të deklaratës së saj, ajo bën të ditur:

“Po distancohem nga kjo rrugë që e keni kapur, por jo nga beteja për të cilën jemi thirrur. Ne do të jemi gjithmonë këtu, të palëkundur, më të fortë dhe me qëndrim më parimor.”

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *