Lajme Maqedoni e Veriut Top

RMV, të punësuarit në shëndetësi nga ky muaj do të kenë paga më të larta për 10%, sindikatat arritën marrëveshje me Qeverinë

Punonjësit e shëndetësisë do të marrin rritje prej 2.450 denarë në shumën neto me pagën e nëntorit. Kjo është pjesë e marrëveshjes që dy sindikatat përfaqësuese në shëndetësi, arritën në takimin e sotëm me kryeministrin Hristijan Mickoski.Ljubisha Karanfilovski, kryetar i Sindikatës së Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale, tha se kanë arritur të nënshkruajnë aneks të marrëveshjes kolektive për aktivitet shëndetësor, transmeton Portalb.mk.

“Me këtë aneks të kontratës kolektive kemi arritur të korrigjojmë koeficientët e të punësuarve në sektorin e shëndetësisë. Bëhet fjalë për korrigjimin e koeficientëve prej 0,233, që në përkthim nënkupton bruto pagë më të lartë për të gjithë të punësuarit prej rreth 3.650 denarë ose 2.450 denarë në shumën neto. Përfitimi edhe më i mirë në pjesën e këtij aneksi është korrigjimi i pagës prej 0,364 për infermierët me arsim të mesëm dhe për pjesën tjetër të personelit të mesëm mjekësor, që do të thotë 5700 denarë bruto ose 3850 denarë neto”, tha Karanfilovski në konferencën për media pas takimit me Mickoskin.

Predrag Serafimovski, kryetar i Sindikatës së pavarur të Qendrës Klinike, thotë se marrëveshja e sotme është rezultat i negociatave të gjata dhe dialogut konstruktiv.

“Të gjitha rritjet janë rezultat i punës së palodhur të dy sindikatave përfaqësuese dhe së bashku me Qeverinë përfaqësojnë përgjigje ndaj kërkesave për kushte më të mira. Rritja e pagave e dakorduar do të thotë përfitim direkt për të gjithë të përfshirët në sistemin shëndetësor”, tha Serafimovski.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se përveç këtyre koeficientëve që do të thotë rritje prej 10 përqind e shumës së ndarë për paga, vitin e ardhshëm në mars do të ketë rritje shtesë prej pesë përqind. Pastaj, rritja e radhës, siç tha Mickoski, do të jetë në vitin 2026 dhe do të jetë për pesë deri në shtatë përqind, e një rritje të tillë të ofertës monetare do të ketë edhe në vitin 2027. Në vitin 2028, rritja pritet të jetë nga shtatë në 10 përqind.

“Kur e merrni të gjithë këtë periudhë  me rradhë, fitojmë një rritje të masës në para të nevojshme për pagesën e  pagave të  punonjësve të shëndetësisë për të gjithë periudhën  midis 40 dhe 50 për qind”, shtoi Mickoski.

Rritja e parë me koeficientët, siç tha ai, do të jetë nga ky muaj, por gjatë këtyre ditëve një grup pune i përbërë nga pesë persona nga Fondi dhe Ministria e Shëndetësisë do të duhet ta harmonizojnë këtë aneks.

Kujtojmë se ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në një intervistë për “360 gradë” në RTVM 1, duke iu përgjigjur pyetjes se kujt do t’i rriten pagat në sektorin publik në vitin 2025, përveç në sektorin e arsimit, ministrja e Financave tha se një tjetër sektor i tillë është shëndetësia, ndonëse, siç edhe paralajmëroi ajo, aty pritet ende një marrëveshje përfundimtare, që edhe u arrit sot.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *