Lajme Maqedoni e Veriut

RMV, dërgohen mesazhe në emër të ministrit Toshkovski, MPB bën thirrje: Mos i hapni, janë sulme fishing

Është shtuar numri i mashtrimeve me sulme fishing dhe rastet e paraqitjes së rreme në emër të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Byrosë së Sigurisë Publike. Qytetarët të mos bien pre e kësaj, paralajmëron MPB. Departamenti për Krim Kompjuterik në Ministrinë e Brendshme raporton se qëllimi kryesor i mashtrimeve fishing është mbledhja e të dhënave personale të marrësve ose shtyrja e tyre të vizitojnë një ueb-faqe të rreme, transmeton Portalb.mk.

“Përpjekjet vijnë zakonisht përmes postës elektronike, por edhe përmes rrjeteve sociale, mesazheve apo telefonatave. Në disa raste, viktimat marrin mesazh se janë subjekt i procedimeve të supozuara ligjore për krime fiktive dhe ftohen të kontaktojnë dërguesin përmes një linku në Viber ose Telegram. Gjithashtu, ka raste kur qytetarët kanë marrë mesazhe që dyshohet se janë dërguar nga drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike ose Ministri i Brendshëm, duke i informuar se janë nën hetim për krime të kryera dhe se është e nevojshme të regjistrohen me e-mail dhe të dorëzojnë të dhënat e tyre personale. Këto e-maile janë një tentativë klasike për mashtrim me qëllim të mbledhjes së të dhënave personale për keqpërdorimin e tyre të mëtejshë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Policia apelon të gjithë qytetarët të kenë kujdes, të mos i hapin këto mesazhe dhe të mos kontaktojnë dërguesin përmes linkut të dhënë ose të ndajnë të dhënat personale nëse kërkohet.

“Për të shmangur rrezikun e infektimit me softuer keqdashës, Departamenti i Krimeve Kompjuterike rekomandon që qytetarët të mos hapin lidhje dhe skedarë të dyshimtë të bashkangjitur në mesazhet elektronike të dërguesve të panjohur. Gjithashtu, duam të informojmë opinionin se shpeshherë mashtrime të tilla kanë dimension ndërkombëtar, pasi mesazhe të ngjashme janë vërejtur edhe në vende të tjera të rajonit”,  thuhet në paralajmërimin e MPB-së.

Kujtojmë se para disa muajsh, qytetarët ishin cak i sulmeve fishing në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nga Qeveria më pas njoftuan se nuk kanë dërguar SMS dhe mesazhe të tjera që ofrojnë kompensim.

“Përderisa qytetarët pranojnë ose kanë pranuar tashmë një mesazh me përmbajtje të tillë apo të ngjashme, në të cilin dërguesi është shënuar Qeveria, duhet ta konsiderojnë atë si rrejshëm dhe të mos klikojnë në linqet e dhëna dhe as t’u përgjigjen mesazheve që kanë pranuar”, thanë atëkohë nga Qeveria. 

Ndryshe, sipas publikimit të botuar nga Fondacioni “Metamorfozis”, format më të shpeshta të sulmeve fishing janë paralajmërimet e rreme nga bankat ose organizatat e tjera financiare në të cilat përdoruesit i kërkohet të japë të dhënat personale për të parandaluar mbylljen e llogarisë, ueb-faqet mashtruese që e bindin përdoruesin të paguajë një shumë të caktuar parash për të blerë një produkt me ç’rast kryhet një pagesë në një llogari të rreme, mesazhet e rreme nga një administrator në të cilat kërkohen të dhëna të ndryshme nga përdoruesi, si për shembull një fjalëkalim, ose njoftimet e ndryshme me të cilat mashtruesit përpiqen të zhvasin para për një bamirësi të rreme.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *