Lajme Maqedoni e Veriut

Për 12% do të rriten pagat e mësimdhënësve në Maqedoninë e Veriut

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska tha se në konsultim me Ministrinë e Financave, kanë ardhur në përfundim që pagat e mësimdhënësve nga muaji mars i vitit të ardhshëm të rriten për 12 për qind.
“Kam pasur dy takime me SASHK-un. Mund të them se kemi pasur takime konstruktive dhe mirëkuptim të madh, por jo vetëm me SASHK-un, por edhe individualisht me grupe të mësimdhënësve. I kam kërkuar si para dhe pas zgjedhjeve që të kenë pak durim.

Unë e di se çfarë do të thotë rrogë, dhe e di se çfarë do të thotë të jetosh me rrogë, por ju e dini borxhin e ministrisë, e dini borxhin e shtetit, kështu që për këtë vit realisht nuk kemi mundësi të ndërmarrim asnjë aktivitet serioz në atë drejtim dhe unë si Ministre nuk mund të lejoj që mësuesve të mi të rritet paga për 200-300 denarë. Më falni që them timen, por unë jam përgjegjës për ta dhe ata janë të mitë.

Megjithatë, janë bërë diskutime serioze në Qeveri dhe me ministrin e Financave dhe në mars të vitit të ardhshëm do të kenë një rritje prej 10-12 për qind, varësisht si ecën BPV-ja dhe sipas marrëveshjes kolektive. Mendoj se do të jetë rritje e pagave prej 12 për qind”, tha Janevska.

Ministrja Janevska tha muajin e kaluar se do të bëjnë të gjitha përpjekjet që pagat e arsimtarëve të rriten gradualisht, duke shprehur besimin se deri në fund të mandatit do të nënshkruhet një marrëveshje e re kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *