Lajme Maqedoni e Veriut Top

Papastërti, pa transport publik, pa gjelbërim – Shkupi hallakamë, Arsovksa pa zgjidhje!

Deri në tetor të vitit 2025, Danella Arsovska ka mandat të udhëheqë me Qytetin e Shkupit. Ajo u bë “nëna e qytetit” pasi i fitoi zgjedhjet si kandidate e pavarur, por me mbështetjen e VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, të cilët në zgjedhjet lokale të vitit 2021 përbënin bllokun e partive opozitare kundër kandidatit të LSDM-së, Petre Shilegov, i cili kishte mbaruar mandatin e parë, shkruan Alsat.

Ekonomistja Arsovska, e cila paraprakisht ishte kryetare e Lidhjes së Odave Ekonomike, në krye të qytetit, erdhi nën akuza për posedim të shtetësisë bullgare. Por, nuk kaloi një vit, filloi të grindet me partitë të cilat, praktikisht sollën në krye të qytetit.

Fillimisht prishi relacionet me VMRO-DPMNE-në, përkatësisht kryetarin e saj Hristijan Mickoski, nën akuzë se ka zënë funksionarë të partisë “me duar në mjaltë”, duke aluduar për korrupsion.

Më pas, rrugët i ndau edhe me Aleancën për Shqiptarët, pasi që Arsovska, u afrua dhe madje emëroi drejtorë nga BDI, ndonëse ata kishin qenë kundërshtarët e bllokut që mbështeti Arsovskën. Kjo përplasje politike, ka bërë që Arsovska ta humb mbështetjen në Këshillin e Qytetit, i cili duhet t’u japë mbështetje programeve dhe projekteve të qytetit.

Ndër to, ishte megapremtimi i Arsovskës për transport  publik falas, i cili do të duhej të realizohet pasi të bliheshin 250 eko-autobusë. Ka kaluar mbi gjysma e mandatit, por Qyteti i Shkupit le që nuk ofron transport publik falas, por për ironi, çështja e transportit publik është kthyer në problemin kryesor me të cilin përballen shkupjanët.

Sot, madje nuk ka transport publik të rregullt as me para. Gjatë këtyre viteve, Arsovska, kishte probleme edhe me pastërtinë e qytetit. Qytetarët, në vazhdimësi ankohen se nuk pastrohen me rregull mbeturinat.

Në mars të vitit 2023, për 3 ditë me radhë nuk u pastruan mbeturinat në qytet, pas protestës së të punësuarve të cilët kërkonin kushte më të mira në punë. Por, në vend kësaj, Higjiena Komunale e cila udhëhiqej asaj kohe nga Kosana Nikoliq Mazneva, hoqi nga puna mbi 100 punëtorë, shumica me kombësi shqiptare, nën arsyen se nuk shkojnë në punë, e për të cilën, nuk ofroi fakte në opinion.

Ndër të përjashtuarit nga puna ishte edhe kreu i Sindikatës, i cili, është i obliguar t’i mbrojë punëtorët. Krahas problemit me higjienën, probleme ka edhe me parqet e qytetit, të cilat nuk mirëmbahen, prehen dhe nuk pastrohen. Madje, si asnjëherë më parë, bari para qeverisë u rrit mbi një metër pasi Ndërmarrja Publike Parqe dhe Gjelbërim nuk e ka prerë. 3 nga mega-parqet e premtuara të Arsovskës janë realizuar, por megjithatë janë ndërtuar në hapësira më të vogla se sa janë premtuar.

Njëri prej tyre është i rrethuar me fusha dhe me deponi dhe jashtë vendbanimit, tjetri mes ndërtesave dhe i treti në trasenë që duhet të ndërtohet bulevard. Për gati tre vite në krye të qytetit, Arsovska do të mbahet mend edhe për ndryshimin e shpeshtë të drejtorëve nëpër ndërmarrjet publike. Gjegjësisht, deri tani ka ndërruar rreth 40 drejtorë. Vetëm në Ndërmarrjen Publike për Ujësjellës dhe Kanalizim 5 herë janë ndërruar drejtorët, ndërkaq nga 4 drejtorë janë zëvendësuar edhe në Ndërmarrjen për Parking dhe Ndërmarrjen për Transport Publik.

Arsovska gjatë këtyre viteve ishte e shurdhër për mediat. Nuk ka mbajtur konferenca të rregullta për shtyp, brifingje, ndërkaq nuk përgjigjet me kohë edhe në pyetjet gazetareske. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, Danella Arsovska mori rreth 120 mijë vota, ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare me partinë e saj të sapoformuar “Alternativa e re” mori më pak se 1600 vota./ Alsat.mk

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *