Lajme Maqedoni e Veriut

Një shtetas i Maqedonisë është arrestuar në Kosovë me heroinë 150 mijë eurosh

Policia e Kosovës njoftoi se dje ka arrestuar një shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilit iu gjetën më shumë se gjashtë kilogramë drogë heroinë, e cila ishte e destinuar për shitje, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në njoftimin e policisë thuhet se Drejtoria për Hetimet e Trafikimit me Narkotikë në Policinë e Prishtinës, në bashkëpunim me institucionet vendore të sigurisë, “me datë 21.08.2024, pas punës intensive hetimore në terren, kanë ndërmarrë masa operative, gjatë të cilave është identifikuar një person, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohet se posedonte, gati për shitje, lëndë narkotike të llojit heroinë”.

Policia thotë se heroinën ia kanë sjellë të dyshuarit edhe dy persona të tjerë, të cilët më pas me veturë janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Vlera e heroinës së sekuestruar është rreth 150 mijë euro.

– Pas intervenimit të policisë së Kosovës, të dyshuarit i janë gjetur gjashtë pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë totale prej 6137,6 gramë (gjashtë kilogramë e 137 gramë), ndërsa vlera e lëndës së dyshuar narkotike që është sekuestruar, vlerësohet në rreth 150 mijë euro, tha policia.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy telefona, një veturë dhe 4.305 denarë.

I dyshuari është dërguar në stacion policor në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa policia është në kërkim të dy personave të tjerë që bashkëpunonin me të.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *