Lajme Maqedoni e Veriut

Murtezi: Shqiptarët do të marrin hisen e vet në administratën shtetërore

Sekretari Organizativ i Alternativës dhe anëtari i kryesisë VLEN, Bashkim Murtezi në podcastin Fol me Nexhat Aqifin në Tv Festa ka komentuar sulmet e BDI-së ndaj punësimeve në institucionet shtetërore.
Murtezi fillimisht ka skenuar situatën aktuale se si është trajtuar administrata shqiptare prej BDI-së.
“ Pjesa më e dhimbshme në politikë është kur flitet për punësimet. Nëse e kemi sjell që partitë politike të flasin dhe të bëhen ente për punësim atëherë nuk është çështja mirë me ne. Dhe unë nuk do të fokusohem shumë në detaje të kësaj çështje edhe pse do të përgjigjem në çështje konkrete. Mjerisht një politikë 22 vjeçare ka krijuar edhe rob të një administrate dhe një rini e cila ardhmërinë edhe stabilitetin e vet e sheh te një rrogë e administratës. Duke e shtypur tërë kohën sektorin privat të cilit BDI nuk i ka kushtuar rëndësinë e duhur dhe të nevojshme bizneseve shqiptare në Maqedoni për të rritur kapacitetet dhe për të krijuar një treg pune për shumë shqiptar të rinj dhe të aftë të cilët sot e kërkojnë atë hapësirë në Perëndim duke e bërë të varur vetëm prej administratës shtetërore.”, deklaroi Murtezi.
Murtezi ka nënvizuar se ne kishim një sistem ku administratorët shqiptarë me vite ishin bashkëpunëtor të rinj vetëm pse nuk ishin pjesë e një partie politike.
“ Kur jemi te çështja e administratës shtetërore dhe punësimi i shqiptarëve dhe pjesës tjetër në institucione shtetërore një gjë dua t`i garantoj të gjithë shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut asnjë përqind e hises shqiptare nuk humbet edhe në aspektin e punësimeve dhe avancimeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët e kanë hisen e vet në të gjitha çështjet.
Ne, kemi hasur në një sistem ku ta marrim administratën, ke nëpunës administrativ 13 vjet deri në 17 vjet i cili nuk është ngritur në karrierën e vet me një institucion. Gjithmonë flas për shqiptarët. Krejt kjo për shkak se ai nëpunës administrativ ka mbetur bashkëpunëtor i ri 13 vite se nuk ka qenë anëtarë i një partie politike. Dhe ne si VLEN dhe brenda komisioneve kadrovike të VLEN-it dhe të qeverisë jemi duke e skenuar situatën”, deklaroi Murtezi.
Murtezi ka sqaruar se janë duke punuar në sistematizimet e reja që mundësojnë avancimin e shqiptarëve.
“ BDI-ja e ka frikën e vetvetes. Sepse të gjitha projektet dhe ato sistematizimet e planet për avancime që kanë qenë të përgatitura ndërkohë kanë qenë pikërisht për njerëzit e vet. Njerëz të cilët në vazhdimësi janë ngritur në karrierë duke e shkelur tërë kohën një tjetër. Dhe ne do të bëjmë përmirësimin, gjegjësisht korrigjimin e kësaj padrejtësie që iu është bërë administratës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Ne i kemi përgatitur sistematizimet dhe janë dhënë udhëzime e reja të gjitha institucioneve shtetërore për përgatitjen e sistematizimeve konform përgatitjes profesionale që kanë të punësuarit në administratë duke përfshirë këtu edhe shqiptarët. Edhe çështja e punësimeve kapet këtu, dhe unë ju garantoj se shqiptarët e kanë dhe do e marrin hisen e vet”, deklaroi Murtezi.
Murtezi nënvizoi se ata janë duke punuar për ti korrigjuar gabimet e BDI-së që janë bërë me vite dhe qëllimisht ndaj administratorëve shqiptarë.
“ Nëse e shohim në kohët e fundit BDI merret me një punësim në dhjetë, dymbëdhjetë me zero, dhjetë me zero. Unë duke e analizuar tash edhe si Komision kadrovik brenda VLEN-it mund të ju them qindra institucione ku përfaqësimi i shqiptarëve edhe pas 22 viteve pushtet të BDI-së është shumë pak. Ta marrim si shembull Armatën e Republikës së Maqedonisë për të cilën ajo herën e fundit pati një reagim. Atje përfaqësimi i shqiptarëve në njësitet elitare edhe të Ministrisë së punëve të brendshme edhe të Armatës është rreth zerove. Ka institucione si Ndërmarrja Publike për Menaxhim me Hapësirat Banuese dhe Afariste Shtetërore përfaqësimi i shqiptarëve nga 250 është 12. Po flasim pas 22 viteve pushtet, jo pas një viti sa ka VLEN-i.
Andaj ne po krijojmë politika për ti korrigjuar këto dhe shumë shpejtë ju do t`i shihni rezultatet e këtyre politikave. Dhe të gjitha ato që trumbeton BDI do të dëshmohet se janë të paargumentuar dhe qëllimkeqe”, deklaroi Murtezi.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *