Murtezani takon koordinatoren e përhershme të OKB-së, Kolumbia
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot mbajti takim me koordinatoren e përhershme të Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, Rita Kolumbia, në të cilën u riafirmua bashkëpunimi i ngushtë më shumë se dy dekada mes Maqedonisë së Veriut dhe agjencive të OKB-së në vend.
Ministri Murtezani shprehu mirënjohjen për partneritetin që mbështet rrugën e vendit drejt integrimit në BE dhe zhvillimit gjithëpërfshirës, duke pasur parasysh se iniciativat e OKB-së janë ngushtë të lidhura me qëllimet reformuese të Maqedonisë së Veriut.
Ministri Murtezani, po ashtu theksoi, rolin e agjencive të OKB-së, veçanërisht UNOPS-it dhe UNDP-së, në ballafaqimin me sfidat e rëndësishme dhe avancimin e projekteve kyçe të financuar nga partnerë ndërkombëtarë. Ai nënvizoi se pjesëmarrja e tyre në grupet punuese të udhëhequra nga Qeveria ka përforcuar koordinimin e donatorëve, duke siguruar shfrytëzim efikas të resurseve për mbështetjen e prioriteteve të Maqedonisë së Veriut për integrim në BE.
Bashkëbiseduesit u referuan edhe në prioritetet strategjike të OKB-së në Maqedoninë e Veriut, të përcaktuara në Kornizën për bashkëpunim dhe zhvillim të qëndrueshëm 2021-2025, të cilat përfshijnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës ekonomik dhe social, ndryshimet klimatike, menaxhimin me burimet natyrore dhe rreziqet nga fatkeqësitë, si dhe qeverisje transparente llogaridhënëse dhe demokratike.