Lajme Maqedoni e Veriut

Murtezani: Po vjen një valë reformash në të gjitha institucionet, do punojmë pa u lodhur për të mirën e vendit dhe qytetarëve

Orhan Murtezani, kandidat i VLEN-it, për Ministër për Çështje Evropiane në tribunën “Kalojmë në Veprim” deklaroi se prioriteti i tyre por edhe i qeverisë së ardhshme është që të bëhet gjithçka që
është e nevojshme që në kohë sa më të shkurtër të jemi 100% gati për hapjen e negociatave për kapitujt që do ta afrojnë Maqedoninë e Veriut drejt anëtarësimit të plotë në BE.
“Derisa të miratohen ndryshimet kushtetuese për futjen e malazezëve, kroatëve dhe bullgarëve në preambulën Kushtetuese, për çka ne si VLEN nuk kemi dilema se duhet të bëhet, ne nuk do të ndalemi e të presim, por do të fokusohemi me gjithë energjinë tonë në futjen e standardeve europiane për transformimin e vendit tonë për të mirë”, tha Murtezani, duke shtuar se nëpërmjet fushatës së tyre ata do të ngrenë standardet në çdo resor, në çdo institucion dhe në gjithë shoqërinë, për t’i përmbushur kështu standardet europiane.
Murtezani tha se një valë reformash po vjen në të gjitha institucionet për t’u përafruar sa më shpejt me standardet evropiane.
“Prandaj as pengesat nuk na dekurajojnë. Në fakt, tash do të dëshmojmë se sa më shumë pengesa që kemi, aq më shumë do të motivohemi dhe do të punojmë pa u lodhur për të mirën e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë. Për këtë arsye ne do të mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë juridike, shtetit të së drejtës dhe pastrimit të paralajmëruar të gjyqësorit”, deklaroi Murtezani.
Ai shtoi se është koha e fundit që çdo i ri ta shohë Republikën e Maqedonisë së Veriut si vend të mundësive dhe të vazhdojë të zhvillohet dhe të kontribuojë në shoqërinë tonë, ndërsa qëllimi i tyre është jo vetëm frenimi i emigrimit por edhe rikthimi i të rinjve përmes krijimit të vendeve të punës dhe mundësve për zhvillim profesional.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *