Murtezani në takim me ambasadorin Rokas: RMV mbetet e përkushtuar për zbatimin e reformave të nevojshme
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot pati një takim me shefin e sapoemëruar të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, ambasadorin Mihalis Rokas, ku u shkëmbyen mendime për procesin e anëtarësimit të vendit në BE, dhe rëndësinë strategjike të iniciativave të reja të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Siç njoftojnë nga kabineti i tij, Murtezani duke i uruar ambasadorit evropian mirëseardhje dhe suksese në angazhimet e reja të punës, falënderoi për mbështetjen evropiane dhe bashkëpunimin e ngushtë me Brukselin përmes Delegacionit të tyre në vend.
Ai theksoi rëndësinë kryesore të Instrumentit për Reforma dhe Rritje të miratuar së fundmi, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Instrumenti për Asistencën e Para-anëtarësimit (IPA) si shtytës të rëndësishëm të reformave në Maqedoninë e Veriut në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe zhvillimit ekonomik; mekanizmat e krijuar për forcimin e kapaciteteve institucionale, inkurajimin e zhvillimit ekonomik dhe përafrimin e Maqedonisë së Veriut me standardet e Bashkimit Evropian.
“Ministri Murtezani rikonfirmoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për zbatimin e reformave të nevojshme, dhe theksoi rëndësinë nga shfrytëzimi i plotë i kornizave financiare të ofruara nga Bashkimi. Ai theksoi se Instrumenti për Reforma dhe Rritje ofron mbështetje të orientuar për vendet që përparojnë në reformat kyçe, duke përfshirë edhe forcimin e konkurrencës ekonomike dhe inovacioneve. Ambasadori Rokas, përshëndeti përpjekjet gjithëpërfshirëse për reforma të Maqedonisë së Veriut dhe konfirmoi angazhimin strategjik të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
“Murtezani dhe Rokas diskutuan gjithashtu për përshpejtimin e reformave në fusha të tilla si sundimi i ligjit, reforma në drejtësi dhe menaxhimi ekonomik. Të dyja palët theksuan rëndësinë e arritjes së përparimit të dukshëm në këto fusha, për të siguruar integrim të suksesshëm evropian. Ata shprehën vullnetin e përbashkët për të dinamizuar bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë për Çështje Evropiane dhe Delegacionit të BE-së, me fokus në maksimizimin e rezultateve gjatë zbatimit të reformave të nevojshme dhe shfrytëzimin e perfitimeve nga instrumentet e reja financiare të BE-së, si angazhim reciprok për qëllimet e përbashkëta strategjike”, thuhet në njoftim.