Mickoski: Zv/kryeministër i PARË do të jetë Izet Mexhiti
Edhe në Qeverinë e re të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski do të ketë zëvendëskryeministër të parë dhe ai do të jetë Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.
Mickoski sot, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit nëse qeveria do të ketë zëvendëskryeministër të parë, tha se kjo është e kundërligjshme dhe se ata si qeveri e re nuk do të punojnë kundër ligjit, por më pas, derisa janë në koalicion, kanë një marrëveshje xhentëllmene që ky post ti takojë koalicionit VLEN.
“Sipas ligjit që është në fuqi, kryeministri ka zëvendës dhe marrëveshja xhentëllmene brenda koalicionit është që të ketë zëvendëskryeministrin e parë dhe ai do të jetë Izet Mexhiti. Por kjo është jashtë ligjit, ligji thotë se kryeministri ka vetëm zëvendës. Ajo që është bërë deri tani në mënyrë të paligjshme nuk do të jetë praktikë në funksionimin e kësaj qeverie. Por marrëveshja xhentëllmene në koalicionin tonë dhe funksionimi ynë është i tillë”, tha Mickoski në vendosjen e gurthemelit të një shkolle në Draçevë.
Në Ligjin për Qeverinë nuk ka zëvendëskryeministër të parë, por është paraparë në Rregulloren e Qeverisë si akt nënligjor i nxjerrë nga vetë qeveria, ku në nenin 5 thuhet: “Kryeministrin e zëvendëson zëvendësi i parë i kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut i ngarkuar për koordinimin e çështjeve politike të reparteve, dhe në rast të mungesës apo pamundësisë së tij, atëherë kryeministrin e zëvendëson njërin nga zëvendësit e tij që do ta caktojë”. Qeveria nuk ka ndryshuar Rregulloren e Punës.
Lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti është ministër i Mjedisit në Qeverinë e re.