Lajme Maqedoni e Veriut

Mexhiti takon zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Kasanof

Zv/kryeministri i parë, Izet Mexhiti vizitën zyrtare në Uashington, e ka nisur me takimin me zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Aleksander Kasanof.

“Gjatë takimit ku ishte prezente edhe ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinovska, e informova për zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, duke ndarë me të përkushtimin e qeverisë sonë për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, rritjen e investimeve në infrastrukturë, energji dhe arsim, si dhe për angazhimin tonë të pakompromis në luftën kundër korrupsionit – një problem që e kemi trashëguar, por që jemi të vendosur ta adresojmë me vendosmëri.

Gjithashtu, theksova se integrimi në Bashkimin Evropian është një aspiratë e shumicës së qytetarëve tanë dhe se ne po punojmë intensivisht për ta përshpejtuar këtë proces. SHBA-të kanë qenë gjithmonë një partner dhe aleat i fuqishëm, dhe e falënderova z. Kasanof për bashkëpunimin e ngushtë që kemi si vende anëtare të NATO-s, duke vlerësuar rolin e SHBA-ve si model për zhvillimin demokratik dhe stabilitetin.

Nga ana e tij, z. Kasanof shprehu mbështetjen e fortë të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor dhe ritheksoi angazhimin e tyre për të na ndihmuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE, veçanërisht në këtë periudhë të sfiduar nga agresioni i paprovokuar rus në Ukrainë.”, është shprehur Mexhiti. (INA)

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *