Komuna e Gostivarit organizoi fushatë për sigurinë e fëmijëve në komunikacion
Kryetari i Komunës së Gostivarit Valbon Limani bashkë me nxënësit e klasave të para dhe përfaqësues të Njësisë për preventivë në kuadër të SPB – Tetovë, kanë inicuar fushatën për siguri më të madhe të fëmijëve në trafikun rrugor. Kreu i Gostivarit personalisht ka ndaluar automjetet në qarkullim për të biseduar me vozitësit rreth rëndësisë së vozitjes në bazë të rregullave dhe kujdesit ndaj pjesëmarrësve më të vegjël në komunikacion.
Me këtë rast, ai u shpreh: “Duke pasur prioritet prindëror dhe institucional sigurinë e fëmijëve tanë në trafikun rrugor, vendosa që personalisht të dal në rrugë bashkë me nxënësit e klasave të para dhe përfaqësuesit e Njësisë për preventivë në kuadër të policisë, për të ndaluar vozitësit e automjeteve dhe për t’i përkujtuar për sigurinë e pjesëmarrësve më të vegjël në komunikacion. Kjo punëtori edukative që ka për qëllim edhe njoftimin e nxënësve me rolin e policisë rrugore dhe rregullat e komunikacionit, do të vazhdojë edhe në të gjithë shkollat fillore të komunës sonë”, deklaroi kryetari Limani.
Pjesë e këtij aktiviteti i cili zhvillohet për herë të parë në komunën e Gostivarit, ishte defileja që autoritet lokale e bënë së bashku me nxënësit dhe mësimdhënësit e tyre nga Pallati për Kulturë deri te sheshi i qytetit, ku për më të vegjëlit u shpërndanë broshura me porosi për sjelljen e tyre dhe vozitësve në trafikun rrugor.
Aktiviteti u mbyll me muzikë dhe maskota për argëtimin e fëmijëve.