Ibrahimi: Dy fjalë pse “100 ditë”
Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi në 100 ditët e kësaj Qeveria ka shpjeguar të arriturat e tyre.
Sipas tij, dikujt nuk i mjaftuan as 22 vjet për të bërë një punë të mirë, ndërsa atyre nuk u duhen më shumë se 100 ditë për ta bërë dallimin.
Ja dhe fjalimi i tij i plotë:
Dy fjalë pse “100 ditë”.
Jemi këtu për të dhënë llogari se pse jemi në qeveri.
Dikujt që nuk i mjaftuan as 22 vjet për ta bërë një punë të mirë, ndërsa neve nuk na duhen më shumë se 100 ditë që ta bëjmë dallimin.
Dhe, ja cili është dallimi. Janë tri tema që dua t’i ndaj me ju sot:
Agjenda euro-integruese
Akademia Shqiptare e Shkencave dhe Arteve
Abetarja e përbashkët Kombëtare
Agjenda euro-integruese
Ne jemi kujdestarët dhe garancia që Maqedonia e Veriut të mbetet në kursin euro-atlantik
Prioritetet kryesore për vendin tonë janë: reforma e administratës publike, tranzicioni energjetik dhe i gjelbër, zhvillimi i kapitalit njerëzor, përmirësimi i mjedisit të biznesit dhe sundimi i ligjit.
Me angazhimin e veçantë të ministrit për Çështje Evropiane, z. Orhan Murtezani, me seriozitet dhe përkushtim nga Qeveria e RMV në procesin e eurointegrimit, buxheti i Agjendës Reformuese për Maqedoninë e Veriut për periudhën 2024-2027 është planifikuar në vlerë prej 750.4 milionë euro. Ky buxhet përfshin 250 milionë euro grante të pakthyeshme për projekte investuese dhe 500 milionë euro kredi me kushte shumë të favorshme, nga të cilat 250 milionë euro do të përdoren për mbështetje buxhetore për reforma dhe 250 milionë euro për projekte të tjera investimi. Kjo agjendë mbulon reforma kyçe në administratën publike, tranzicionin energjetik, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e sundimit të ligjit, me synimin për të përshpejtuar integrimin me Bashkimin Evropian.
Një informacion se sa kanë qenë të përkushtuar këta opozitarët e tanishëm në agjendën europiane – vendi ka humbur 122 milionë euro nga fondet IPA gjatë periudhës 2022-2024 për shkak të mos-shfrytëzimit në kohë.
Akademia e Shkencave dhe Arteve
Së pari të shpjegojmë se bëhet fjalë për akademi dhe jo për ushtri
Në një botë pluraliste akademia nuk mund të jetë moniste.
Ne e kemi pasur në program, ndërsa kështu vetëm e kemi mbështetur nismën e intelektualëve shqiptarë për të pasur akademi shkencash.
Nuk ka kuptim të kemi rreth 1000 profesorë universitarë dhe vetëm dy akademikë shqiptarë. Ky është poshtërim që nuk e lejojmë.
Sivjet buxheti për Akademinë është siguruar nga katër komunat shqiptare (Çair, Tetovë, Gostivar dhe Zhelinë), ndërsa presim që edhe komunat e tjera ta mbështesim këtë projekt.
Vitin tjetër do të përpiqemi që kjo akademi të gjejë zgjidhje ligjore. Ne i kemi shqyrtuar disa modalitete dhe kemi shumë besim se kjo do të bëhet.
Pyetja që shtrohet është: pse me disa ministra të Arsimit dhe gjithaq pushtet kurrë nuk e ngritën idenë për akademi dhe lejuan që shqiptarët për 22 vjet të kenë vetëm dy akademikë; dhe e dyta: pse komunat shqiptare që udhëhiqen nga ata refuzojnë ta ndihmojnë këtë akademi shqiptare?
Abetarja e përbashkët Kombëtare
Abetarja Kombëtare u bë pjesë e sistemit tonë arsimor.
Për herë të parë në shkollën shqipe nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë do ta kenë edhe Abetaren e përbashkët Kombëtare.
Ata thanë se edhe këtë e kanë bërë ata, por nuk u përgjigjën në dy pyetje: pse nuk e kishin bërë këtë duke qenë në pushtet 22 vjet; dhe, e dyta, pse as sivjet komunat që drejtohen prej tyre nuk e pranuan Abetaren Kombëtare? A janë kundër Abetares Kombëtare apo tuten që mos ta hidhërojnë Stojançe Angellovin?
“Dita e mirë shihet n’sabah.”
Neve nuk na duhen 100 ditë, sepse suksesi ynë nuk matet me ditë, por matet me vepra, ndërsa veprat që i lë pas koalicioni VLEN nuk mund të përmblidhen edhe nëse ne flasim 200 ditë, sepse ne dhe ata kemi dallim 100 vjet vite dritë.