Hapet dega e Postës së Kosovës në veri
Posta e Kosovës sot ka hapur degën e saj në veri të Mitrovicës. Kjo degë e postës është hapur pikërisht në sheshin “Car Llazar”.
E një numër i vogël i serbëve lokalë, të udhëhequr nga subjekti politik Demokracia Serbe, me brohoritje e fërshëllima, kanë kundërshtuar hapjen e saj.
Gazetarja e Telegrafit, Blinera Mehmeti e cila po qëndron atje bëri të ditur se tashmë të njëjtit janë larguar dhe se çdo gjë aktualisht është duke shkuar në mënyrë të rregullt.
Shefi i Operativës rajonale të Mitrovicës Veriore, Petrit Fejza, tha për Telegrafin se hapja e degës së Postës së Kosovës në pjesën veriore është përcjellë me një protestë nga një grup serbësh prej 5 personave.
Fejza ka thënë se e gjitha kjo ka përfunduar pa asnjë incident dhe se situata vazhdon të jetë e qetë, ndërsa protestuesit janë larguar nga Policia e Kosovës.
Ai është shprehur se situata në këtë pjesë është nën kontroll.
Ndryshe, në hapje të kësaj dege morën pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Përveç kësaj, vlen të theksohet se në Mitrovicën e Veriut po vazhdon hapja e bizneseve kosovare, të cilat deri tani nuk kanë operuar në këtë pjesë të qytetit.