Glauk Konjufca – Afrim Gashi, takim vëllazëror
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi ka ka shtruar një darkën zyrtare për homologun e tij nga Kosova, Glauk Konjufcën, në kuadër të seancës së 11-të plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
Konjufca në një postim në Facebook ka shkruar se kjo ishte mundësi shumë e mirë që shërbeu për të diskutuar për të ardhmen sa më të mirë të rajonit, në frymën e bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes.
“Vizioni i zhvillimit ekonomik, i bashkëshoqëruar nga stabiliteti e siguria, nën parimet e palëkundura të demokracisë, bashkëpunimit, respektit dhe barazisë, si dhe qëllimeve të përbashkëta, janë formulimi që e sjell Republikën e Kosovës, si dhe vende të tjera të rajonit, në këtë organizim të rëndësishëm që i përgjigjet Strategjisë së Evropës Juglindore 2030, si dhe udhëzimeve të saj strategjike për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në rajon dhe progres në të mirë qytetarëve tanë.
Në këtë mundësi që na e ofroi SEECP dhe Kryetari Gashi si pritës, pata rastin që përgjatë bisedave të parashtroj kontributin dhe perspektivën e Republikës së Kosovës përbrenda këtij vizioni të përbashkët. Gjithashtu, do të kemi përsëri mundësinë që këto pikëpamje t’i paraqesim përgjatë seancës plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore“, thuhet në njoftimin e Konjufcës.
Konjufca ka shtuar se Kosova pret që SEECP të kontribuojë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian, të ndihmojë në rritjen e sigurisë në tërë rajonin, përfshirë Kosovën dhe të dënojë ashpër sjelljet që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe rrugëtimin evropian të Kosovës dhe rajonit. Gjithashtu, pret që ky forum të mbështesë fuqishëm ambiciet integruese të rajonit dhe të kërkojë nga institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të mundësojnë për Kosovën statusin e kandidatit në BE dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndër to edhe në Këshillin e Evropës.