Gashi: Në Kumanovë përfundimisht do të ndërtohet një objekt i shkollave të mesme shqipe që i plotëson standardet moderne

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi ka njoftuar se me rastin e 7 Marsit, ditës së mësuesit, së bashku me përfaqësues të koalicionit VLEN, ka qëndruar në Kumanovë, ku ka vizituar edhe objektin e shkollës së parë në gjuhën shqipe në këtë qytet, shkollën “Bajram Shabani”.
“7 Marsi – Dita e Mësuesit është një prej datave më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, ndërsa Kumanova është një shembull i veçantë i përpjekjes për arsim në gjuhën amtare. Me miq, shokë, dashamirë e veteranë të arsimit i kujtuam sakrificat e kumanovarëve për arsimimin në gjuhën shqipe, protestat për shkollat e mesme në gjuhën shqipe, persekutimet, burgosjet e torturimet e shqiptarëve vetëm pse deshën të mësojnë në gjuhën shqipe. Me këtë rast e vizitova edhe objektin e shkollës së parë në gjuhën shqipe në Kumanovë, objektin e shkollës “Bajram Shabani”, ku prej së afërmi i pashë kushtet dhe i dëgjova sfidat dhe problemet me të cilat përballen punëtorët e arsimit.
Duke qëndruar në Kumanovë, u njoftova me projekt-idenë e objektit të gjimnazit “Sami Frashri”, e cila ka pasur përkrahjen tonë si parti politike në të gjitha fazat dhe do ta ketë këtë mbështetje deri në realizimin përfundimtar. U gëzova jashtë mase kur dëgjova se në Kumanovë përfundimisht do të ndërtohet një objekt i shkollave të mesme shqipe që i plotëson standardet moderne.”, ka shkruar kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
https://www.facebook.com/share/p/FhD7CjytBM56QM95/?