Lajme Maqedoni e Veriut

Fjalimi i Kryeparlamentarit Gashi: Qytetarët nga ne presin punë e përkushtim

Kryeparlamentari i sapozgjedhur i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në fjalimin e tij të parë në postin e ri, i porositi të gjithë deputetët se qytetarët presin punë, përkushtim e angazhim nga përbërja e re parlamentare.

“Sfida jonë tashmë nuk është ballafaqimi dhe kundërshtimi sipërfaqësor me terma të fushatës parazgjedhore, sepse kjo përfundoi më 8 maj, por tash para nesh hapet një perspektivë e re, kur qytetarët presin nga ne të dëshmojmë punë, përkushtim dhe angazhim për atë që e kemi premtuar”, deklaroi Gashi.

Ai kërkoi angazhim që të ndalet eksodi i të rinjve, madje të bëhen përpjekje që ata të kthehen në vend.

“Rrjedhimisht, detyrimi ndaj qytetarëve dhe respektimi i tyre duhet të jetë strumbullari rreth të cilit duhet të sillet secili nga ne. Në fakt, eksodi i të rinjve mund të ndalet vetëm nëse ne gjatë këtij mandati prodhojmë ligje dhe mundësi që ata të mund të krijojnë jetë dinjitoze në vatrat e tyre. Madje, për mua si optimist i paepur, nuk është fare e tepërt të them se ne kemi mundësi të artë që shumë mërgimtarë tanë t’i kthejmë në shtëpitë e tyre nëse vërtet i përmbushim premtimet tona për ngritje të standardit të jetesës. Zaten, çfarë kuptimi ka angazhimi ynë publik e politik nëse kjo nuk përkthehet në përfitim për qytetarët?!”, tha Gashi.

Gashi tha se pret që politikanët të bashkohen rreth disa pikave të rëndësishme për të gjithë qytetarët.

“Kjo është arsyeja që t’ju ftoj të gjithëve të bashkohemi në vijat e përgjithshme të interesit qytetar, siç është integrimi në Bashkimin Europian, mirëqenia ekonomike, shteti i së drejtës, reformimi i arsimit, barazia mes komuniteteve, mbrojtja e familjes dhe mbrojtja e mjedisit. Këto janë shtyllat në të cilat duhet të bashkohemi dhe unë jam shumë i bindur se nëse dimë dhe duam, ne kemi shumë pika që na bashkojnë dhe kjo është një mundësi që ne të bashkëpunojmë, ndërsa kemi pak gjëra që na ndajnë dhe kjo është një mundësi që ne të tolerohemi dhe ta respektojmë të drejtën e demokracisë për të vendosur shumica”, deklaroi Gashi.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *