Lajme Maqedoni e Veriut

Edhe një aktakuzë të re për Merkon

Akuzë e re ndaj kryetarit të komunës së Strugës Ramiz Merko. Prokuroria Themelore Publike ka ngritur aktakuzë kundër 11 personave fizik dhe një personi juridik lidhur me ndërtimin e paligjshëm të objektit afër pishinës së hotelit “Drin”, ndër të cilët i akuzuari i tretë është kryetari aktual i Strugës. Sipas aktakuzës, në maj të vitit 2019, pronari i një kompanie ka paraqitur kërkesë për rikonstruksionin e pishinës në hotel, por ka marrë leje nga kryetari i Komunës së Strugës për të ndërtuar objekt të tërë.

“Kryetari i komunës së Strugës, i akuzuari i tretë në këtë rast, duke vepruar sipas kërkesës, në vend që ta refuzojë apo të lejojë rindërtimin në përmasat ekzistuese të objektit, në korrik të vitit 2019 ka lëshuar leje ndërtimi, e cila i ka lejuar investitorit të ndërtojë dhe të fitojë përfitim gjegjësisht pasuri të patundshme apo një kat shtesë të objektit me galeri të hapur dhe tarracë, me sipërfaqe bruto 513 m2 dhe me vlerë të parashikuar prej 781. 527 euro. Me këtë ka tejkaluar kufijtë e kompetencave të tij zyrtare, ka vepruar përtej kërkesës për rindërtim dhe në kundërshtim me procedurat e parashikuara në Ligjin e ndërtimit, me qëllim që të bëj përfitim për dikë tjetër”, thonë nga PTHP Strugë.

Prokuroria gjithashtu ka konfirmuar se madhësia e ndërtesës gjatë ndërtimit është dyfishuar. “Drejtuesi dhe menaxheri kanë ndërtuar një kat plotësisht të mbyllur me apartamente hoteli dhe qendër spa dhe një tjetër mbindërtim- një kat me restorant të mbyllur dhe hapësira ndihmëse. Sipërfaqja e përgjithshme e objektit të ndërtuar pa leje është 1630 m2”, thonë nga Prokuroria.

Në mesin e të akuzuarve janë referenti dhe udhëheqësi i Sektorit për urbanizëm në komunën e Strugës dhe ekspertë të cilët kanë pohuar se objekti i ndërtuar është në kuadër të projektit bazë.

“Shtatë të akuzuarit e rastit janë ekspertë të fushës së ndërtimit, arkitekturës dhe urbanistikës të cilët kanë dhënë konstatime dhe mendime të rreme në procedurën penale për ndërtim pa leje”, theksojnë nga PTHP Strugë.

Prokuroria Themelore Publike e Strugës, e cila udhëheq hetimin e këtij rasti, ka urdhëruar tre ekspertiza, në vitin 2021, 2022 dhe 2023, dhe të gjithë në konstatimet e tyre kanë pohuar se objekti i ndërtuar ilegalisht sipas sipërfaqes dhe lartësisë së brendshme i përgjigjet dokumentacionit teknik nga projekti bazë. Ata nuk kanë bërë vërejtje shtesë për gjendjen faktike në vend dhe të gjitha lëshimet i kanë konstatuar si ndryshime të rregulluara me ligj gjatë ndërtimit. Të akuzuarit e parë, personi juridik dhe drejtuesi akuzohet për veprën penale “ndërtim pa leje”, kryetari për veprën “Keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit”, dy nëpunës të komunës si bashkë-pjesëmarrës në veprën penale “Punë të pandërgjegjshme në shërbim ndërsa ekspertët për veprën “dhënie të deklaratës së rrejshme”. /Alsat.mk

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *