Lajme Maqedoni e Veriut

Durmishi: Njëqind ditë të dedikuara plotësisht për mbështetjen e biznesit dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve

Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi ka prezantuar punën e tij gjatë 100 ditëve udhëheqje të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës. Ja fjalimi i plotë.

“Janë këto ditë ku me dinamikën dhe angazhimin më të madh kemi arritur të sjellim mirëqenie më të mirë për qytetarët dhe kujdes maksimal ndaj tyre. Politikat tona nuk janë fjalë, por janë punë dhe sukses i vazhdueshëm ku gjatë kësaj periudhe pune së bashku me ekipin tim kemi arritur që ta ngrisim Ministrinë në nivel më të mirë. Sot institucioni ynë është krah qytetarëve duke u dalë në ndihmë në momentet e mirëfillta. Sot kemi rezultate të mira meqë mbajtëm premtimin që e dhamë në fillim!

Ne jemi këtu me vizionin më të qartë, vëmendje më të madhe ndaj qytetarëve dhe më pak shpenzime për ta. Kjo nuk është fushatë, por mënyrë e punës për të cilën unë punoj si ministër i Ekonomisë dhe Punës!

Dua të theksoj se 100 ditëshi i punës që ne jemi duke e prezantuar nuk është e gjitha që kemi bërë, por po prezantojmë të arriturat kyçe të Ministrisë sonë.

Ministria e Ekonomisë dhe Punës në 100 ditët e kaluara, ka qenë e përkushtuar në mbështetjen e biznesit dhe amvisërive, në mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve.

Kemi punuar me përkushtim këto 100 ditët e kaluara në interes të përmirësimit të klimës afariste për kompanitë dhe në uljen e shpenzimeve për qytetarët.

Në kushte të çmimeve të rritura të ushqimit, në mënyrë që t’ju dalim në ndihmë qytetarëve, nisëm një aksion, për të cilin mund të dëshmojmë se u mirëprit pozitivisht nga qytetarët, e që është “Më pak harxhime – më shumë për ty”.

Së pari, i ulëm marzhet e tregtisë me shumicë dhe tregtisë me pakicë të pajisjeve shkollore, duke ulur kështu shpenzimet për amvisëritë, veçanërisht për ato për që kanë nxënës.

Më pas, në mënyrë që t’u dalim në ndihmë qytetarëve, publikuam Shportën konsumatore vjeshtore dhe kufizuam marzhat në 10% në tregtinë me shumicë dhe në tregtinë me pakicë në 73 produkte themelore ushqimore , diçka që është shumë e rëndësishme për të gjitha amvisëritë.

Kjo masë do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme si shporta e Krishtlindjeve, shporta e Ramazanit, shporta e Pashkëve, e gjithë kjo me qëllim që t’u dalim në ndihmë qytetarëve para festave kur ka rritje të çmimeve të produkteve themelore ushqimore.

Analizat e para nga terreni, tregojnë se çmimet e produkteve nga shporta konsumatore vjeshtore janë ulur mesatarisht nga 5% deri në 10%, me ç’rast te disa produkte ulja e çmimeve  është e vogël, ose nuk ka ulje fare (si p.sh. buka, vaji për ushqim dhe qumështi), derisa te produktet tjera i njëjti është dukshëm më i lartë (si p.sh. mishi, perimet dhe produktet e qumështit (djathi dhe kaçkavalli).

Rënia e çmimeve pritet të jetë edhe më e madhe duke marrë parasysh rënien e çmimeve në tregtinë me shumicë, e cila tek tani duhet të ndodhë në dërgesat e radhës, gjatë dërgimit të produkteve në marketet.

E shprehur në kursimin e parave për një familje katëranëtarëshe, në nivel mujor kursimi do të arrinte nga 690 denarë në 1360 denarë për familje, në varësi të mënyrës së ushqyerit, si dhe nga zgjedhja e marketeve ku furnizohet ai.

Në këtë drejtim, është e rëndësishme të thuhet se hyri në fuqi edhe Ligji për praktikat e padrejta tregtare, me të cilin kufizohen rabati dhe shpezimet plotësuese për mbi 2500 produkte ushqimore, nga të cilat presim ulje plotësuese të çmimeve të ushqimit deri në fund të këtij muaji.

Tregojmë në vepër se kujdesemi për qytetarët

Që nga fillimi i mandatit tim, në vazhdimësi kemi marrë vendime për të mbështetur biznesin dhe qytetarët.

 

Këto janë një pjesë e të arriturave të cilat po i prezantojmë ne sot . Një punë e cila ka për qëllim kujdesin ndaj qytetarëve.

Në fushën e mbështetjes së turizmit dhe punëtorëve me të ardhura të ulëta, janë ndarë 1777 vauçerë për turizëm me vlerë prej 32 milionë denarë për punëtorët me të ardhura të ulëta që të mund të kalojnë pushimet e tyre në disa nga qendrat tona turistike. Me këtë masë, ne jo vetëm që u japim mbështetje kapaciteteve hoteliere vendore, por u mundësojmë punëtorëve me të ardhura të ulëta dhe familjeve të tyre pushime në vendet turistike vendore.

Në fushën e biznesit, Ministria e Ekonomisë dhe Punës siguroi mbështetje financiare për kompanitë lokale në shumën mbi 120 milion denarë.

Përmes programit për mbështetjen e konkurrentësisë së industrisë përpunuese dhe përgjegjësisë shoqërore për vitin 2024, në shumën prej 32 milionë denarë, janë shpallur thirrjet publike për:

– mbështetje të zhvillimit, mirëmbajtjes dhe implementimit të praktikave të pranueshme shoqërore të subjekteve afariste

– mbështetje për rritjen e konkurrentësisë së subjekteve afariste nga industria përpunuese

– zhvillimin e subjekteve afariste, zhvillimin e produkteve dhe zhvillimi e tregut për kompensimin e një pjese të shpenzimeve të laboratorëve

Nga Programi për zhvillimin e sipërmarrësisë dhe konkurrentësisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për vitin 2024, janë siguruar 80.000.000 denarë për të mbështetur biznesin, ndërsa janë shpallur katër thirrje publike:

– kompensimi i një pjese të shpenzimeve për certifikimin e sistemit HALLALL të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

– kompensimi i një pjese të shpenzimeve për certifikimin e sistemeve që janë në përputhje me ISO standardet të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

– për subvencionimin e zejtarëve

– për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për furnizimin e makinave me qëllim të rritjes së konkurrentësisë së tyre

– për bashkëfinancimin e projekteve të shoqatave civile, odave ekonomike, odave të zejtarëve dhe rrjeteve të engjëjve të biznesit

 

Disa nga thirrjet publike janë ende në rrjedhë dhe deri më tani kanë mbërritur 257 aplikime në të gjitha thirrjet publike dhe u bëj thirrje kompanive vendore që të aplikojnë dhe të marrin mbështetje nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.

Punojmë në përmirësimin e kushteve të investitorëve të huaj. Ministria e Ekonomisë dhe Punës ia dorëzoi lejen për fabrikën kompanisë gjermane KIEL në zonën industriale në Tetovë. Investim që do të hapë mbi 300 vende pune në rajonin e Pollogut.

Punojmë në ndryshimin e Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve me të cilat do të përmirësohen kushtet e punës edhe për investitorët vendorë edhe për ata të huaj. Të gjitha vendimet dhe masat i miratojmë në konsultim me sektorin e biznesit dhe me sindikatat. Për një kohë shumë të shkurtër, pres që të mbahet seanca e parë e Këshillit Ekonomik Social ku do të shqyrtohen të gjitha çështjet e hapura edhe nga punëdhënësit edhe nga sindikatat me qëllim të përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve në Maqedoninë e Veriut.

Na presin edhe shumë punë dhe angazhim për ta përmirësuar ekonominë vendore. Jemi në rrugën të mbarë për të arritur akoma më shumë rezultate të shkëlqyera si rrjedhojë e punës dhe zgjidhjeve efikase që po i ofrojmë. Po ashtu, jemi shumë të vetëdijshëm për rrugën që na pret gjatë mandatit, por jam i bindur se do sjellim më të mirën ashtu siç e kemi dëshmuar deri tani!

Ministria e Ekonomisë dhë Punës është këtu për punë, jo vetëm 8 orë në ditë, por gjatë gjithë mandatit 4 vjeçar!”, ka deklaruar Durmishi.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *