Drejtorët Orhan Kurtishi dhe Granit Osmani Takohen me Ambasadorin Turk, Fatih Ulusoj për Forcimin e Bashkëpunimit
Sot, drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së Maqedonisë së Veriut, z. Granit Osmani, dhe drejtori i përgjithshëm i Postave të Maqedonisë së Veriut, z. Orhan Kurtishi, zhvilluan një takim me ambasadorin e Republikës së Turqisë në Shkup, z. Fatih Ulusoj.
Gjatë takimit u diskutuan çështje të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Një ndër temat kryesore ishte bashkëpunimi në fushën e gjuhës dhe kulturës, ku u theksua rëndësia e promovimit të gjuhës dhe trashëgimisë kulturore të të dy vendeve.
Drejtori Osmani shprehu përkushtimin e AZGj-së për zbatimin e politikave gjuhësore dhe ruajtjen e diversitetit gjuhësor, ndërsa z. Kurtishi vuri në pah rolin e Postave të Maqedonisë së Veriut në shpërndarjen e materialeve edukative dhe kulturore.
Ambasadori Ulusoj vlerësoi përpjekjet e institucioneve të Maqedonisë së Veriut për zhvillimin e marrëdhënieve dhe shprehu gatishmërinë e Turqisë për mbështetje në iniciativa të përbashkëta që forcojnë lidhjet kulturore dhe ekonomike.
Takimi dëshmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Shkup, 24 Tetor 2024