Lajme Maqedoni e Veriut

Bekim Sali: Ndryshimi erdhi, do punojmë me përkushtim për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë

Kryetari i Alternativës, Bekim Sali, në tribunën e organizuar nga koalicioni VLEN, tha se ata janë mbledhur një ditë para se të formohet qeveria për të treguar se ndryshimi ka ardhur.
Sali tha se lajmi i mirë është se rotacioni politik po ndodhë me votë të lirë dhe në mënyrë demokratike, ndërsa meritorë për këtë janë qytetarët e vendit tonë të cilët kanë votuar për ndryshimin.
“Ajo që dua ta vë në spikamë në këtë adresim është se ne si koalicion e kemi ruajtur përfaqësimin e shqiptarëve në njërin nga tre pozicionet më të larta të pushtetit, duke e zgjedhur Afrim Gashin për kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përveç kësaj, në këtë pjesëmarrje në pushtetin ekzekutiv ne kemi qenë shumë të kujdesshëm që pjesëmarrja jonë të mos jetë më e ulët se prania e shqiptarëve në këtë vend, por më shumë se kaq, kemi qenë të fokusuar në institucione që kanë të bëjnë me zbatimin e programit tonë politik, duke synuar të punojmë seriozisht e me përkushtim në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian, por edhe duke mundësuar politika ekonomike, shëndetësore, sociale e mjedisore, me të cilat besojmë se do ta ngremë dukshëm cilësinë e jetës së qytetarëve tanë”, deklaroi Sali.
Ai shtoi se në vitin 2024 po përfundojnë vitet e letargjisë, për t’ua hapur rrugën viteve të lirisë, demokracisë, drejtësisë, barazisë dhe mirëqenies.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *