Banorët e Likovës fillojnë t’i paraqesin dëmet pas reshjeve të djeshme të shiut dhe breshrit
Komisioni për vlerësimin e dëmeve nga Komuna e Likovës tashmë është në terren mes popullatës e cila dje pësoi dëme nga reshjet intensive të shiut dhe breshrit që përfshiu rajonin verilindor të vendit, kumtuan nga komuna e Likovës.
“Komuna e Likovës është goditur nga reshjet intensive të shiut dhe breshrit. Mund të themi se janë prekur të gjitha vendbanimet duke filluar nga Llojani deri në Nakushtak. Qytetarët tashmë kanë filluar me paraqitjen e dëmeve. Nga kultura bujqësore dëme ka në plantacionet me qepë, shalqi, perime, patate, misër, elb…”, thonë nga komuna e Kumanovës.
Tani për tani nuk raportohet për dëme në infrastrukturën tjetër dhe rrëshqitje të dheut në rrugë, thonë nga komuna.
Më herët, banorët e fshatrave të Likovës deklaruan për MIA-n se dëme ka në plantacione, të mbjella dhe shtëpi, ndërsa janë dëmtuar edhe panele diellore dhe automjete.