AlternAtivA është alternativë në skenën politike shqiptare
Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI
Në shkollë fillore më zgjidhnin kryetar klase, ndërsa unë bëhesha nënkryetar.
Në shkollë të mesme më zgjidhnin kryetar, ndërsa unë bëhesha nënkryetar.
Kur u bë Besa, plot miq donin të bëhesha kryetar, por unë u bëna nënkryetar.
Kur u bëra deputet, u bëra zëvendësshef i grupit parlamentar.
Kur u bë Alternativa, u bëra sekretar.
Dhe, kështu do ta vazhdoja jetën, herë i dyti e herë i treti, nëse një ditë Afrim Gashi nuk më vendoste para dilemës “Unë do ta pranoj detyrën e Kryetarit të Kuvendit nëse ti pranon të kandidohesh për kryetar të Alternativës”. Më në fund, nuk kisha ku të iki dhe prandaj iu dorëzova caktimit të Zotit, fatit dhe këtij kongresi. Prandaj, para së gjithash e mbi të gjitha, ju faleminderit të gjithëve për besimin.
Më shumë e falënderoj atë që gjatë votimit ishte i përmbajtur. Vetëm ai ma ka dashur të mirën personale. Sigurisht ka dashur të më shkarkojë nga kjo përgjegjësi. Natyrisht, falënderimi i pafund shkon për ata që sot me votën e tyre PËR shprehën besim tek unë.
E pasi që tashmë jam i zgjedhur kryetar i Alternativës, po ju them se as nuk jam më dijshmi në këtë sallë, e as nuk jam më i miri në këtë sallë. Madje, nuk jam as më meritori për këtë detyrë. Konsideroj se zgjedhja ime ka ardhur si vlerësim për punën time të deritanishme dhe për shpresën që e mban gjallë kjo zgjedhje për të ardhmen. Megjithatë, ne nuk jemi as fajtorë për të kaluarën, as të vetmit meritorë për të ardhmen. Sepse, edhe po ta fajësojmë veten, të kaluarën nuk e ndryshojmë dot, ndërsa të ardhmen mund ta projektojmë, por atë e ka në dorë Zoti, ndërsa ne nuk jemi Zoti. Prandaj, detyrimi ynë është ta jetojmë të tashmen dhe të mundohemi që ajo të jetë më e mirë se e kaluara dhe uverturë e së ardhmes së suksesshme.
Shumë të dashur delegatë të këtij kongresi, të bëhesh kryetar i Alternativës pas Afrim Gashit, kjo nuk është fare lehtë. Dhe, këtë nuk e them vetëm për mirësjellje. Këtë ia kam thënë edhe atij dhe këtë po e them edhe para jush. Cilin sukses mund ta arrijë cilido kryetar tjetër, pas tij, në krahasim me atë që e ka bërë ai? Pas një angazhimi 10-vjeçar, Afrim Gashi po dorëhiqet nga detyra duke na e lënë një parti në pushtet, duke na e lënë një parti që e ka kryetarin e Kuvendit dhe duke na e lënë një parti që e ka bërë rotacionin politik te shqiptarët në Maqedoni. Kush tjetër mund të bëjë këso suksesi pas tij? Prandaj, për të mos e quajtur naivitet, do ta quaj utopi pritjen që unë ose kushdo tjetër nga ne të jetë më i suksesshëm se Afrim Gashi në drejtimin e Alternativës. Prandaj, të faleminderit për gjithçka që ke bërë për ne, kryetar Afrim Gashi!
Falënderim meriton edhe nënkryetari dhe drejtuesi i partisë në këtë ndërmjetkohë, deputeti ynë Bekim Sali. Nëse ka një model të aktivistit politik, të cilit mund t’i referohemi jo vetëm ne në këtë sallë, por edhe secila parti në vendin tonë, ky është Bekimi. Kryetar dege – mrekullibërës. Shef shtabi – i suksesshëm. Ministër i Shëndetësisë – i papërsëritshëm. Sekretar i partisë – i palodhshëm. Nënkryetar – i devotshëm dhe kryetar në detyrë – i papërtueshëm. Të faleminderit për gjithçka Bekimi ynë.
E nëse duhet të flas ndonjë gjë për atë se cili është vizioni im për mandatin që më pret mua bashkë me ju, gjëja e parë që më bie ndër mend është përshtypja se ne mund të dehemi me këtë sukses dhe t’ia fusim gjumit, për t’i thënë vetes se ky është fundi i historisë, siç thoshte dikur Fukujama. Por, ky do të vetëmashtrim.
Delegatë të dashur,
Unë nuk kam pretendime se do të bëhemi personazhe të historisë, ama do të doja shumë që mos të jemi personazhe të llafologjisë. Do të doja që për neve tashmë të flasin veprat dhe jo llafet. Deri tash argumenti ynë për letargjinë, korrupsionin dhe degradimin ka qenë partia që e dërguam në opozitë. E tash, kur ajo nuk është më, armiku i vetes dhe i popullit ose dashamiri i vetes dhe i popullit jemi ne dhe vetëm ne. Tash ose do të dëshmojmë punë ose do të ikim në shtëpi. Rrugë të tretë nuk ka. Prandaj, tek tash për ne hapet tema se pse jemi në politikë. Nëse deri tash kemi pasur plot arsye që ta ulim pragun e tolerancës për ta dërguar atë parti në opozitë, tashmë prej nesh pritet që standardi ynë për luftën kundër korrupsionin, krimit dhe veseve të tjera shoqërore të jetë përtej asaj që ka qenë kurdoherë në vendin tonë dhe në skenën tonë politike jo vetëm shqiptare.
Të nderuar, nëse vitet e 1991-2001 kishim luftë për barazi, nëse në vitet 2002-2008 kishim luftë për dinjitet institucional, nëse pas vitit 2011-të degraduam në korrupsion, varfëri, shpërngulje masive, në arsim të rrënuar dhe në jetë sociale kurrfare, në vitin 2024 ne po hapim një kapitull të ri të historisë sonë kombëtare. Tashmë patriotizëm nuk është llafologjia, por ekonomia. Tashmë patriotizëm nuk janë ceremonitë e diplomimit, por janë listat e testimeve PISA dhe listat e rangimit të universiteteve. Tashmë patriotizëm nuk është flamuri gjigant në Zajaz, por është maja e listave të kompanive tona të sukseshme në rang vendor dhe ndërkombëtar.
Prandaj, nisur nga kjo, mund të duket utopike, por detyra ime – konform programit të Alternativës – është që ta ndihmojmë biznesin shqiptar, shqiptarët t’i bëjmë sa më të pasur, sepse ashtu imponohet cilësi e përgjithshme e jetës. Një shoqëri me bollëk ekonomik imponon edhe arsim cilësor, edhe shëndetësi cilësore, edhe jetë sportive të pasur, edhe kulturë të begatshme.
Andaj, nëse duhet ta cilësojmë se çfarë do të jetë Altrnativa në vitet që vijnë, ajo do të jetë parti e arsimit dhe ekonomisë. Më në fund duhet ta kuptojmë se nuk bëhemi komb pa arsim dhe pa ekonomi. Zaten, kombi politik ndërtohet me kapital dhe me arsim, siç edhe shkatërrohet me varfëri dhe injorancë.
Të respektuar delegatë, për mua politika është t’u shërbesh të tjerëve dhe jo të na shërbejnë të tjerët. Secili nga ne sot në këtë sallë, por edhe në skenën politike, duhet ta shtrojë pyetjen se çfarë është shtytja që ne jemi në politikë? Cili është motivi? A është kjo një shtytje intelektuale ideologjike? A është kjo një shtytje shpirtërore për afirmimin e moralit ndryshe? A është ky një vizion për një botë të re? A është ky një projekt për avancimin e arsimit? A është kjo një ide për zhvillim ekonomik? Nëse nuk është asnjëra nga këta, atëherë e kemi huqur keq. E nëse është njëra nga këto, atëherë jemi në vendin e duhur. E nëse është kështu, ne jemi argatë vullnetarë të popullit dhe nuk e kemi bërë popullin argat të pasioneve tona. Nëse ne jemi në Alternativë, sepse duam të jemi shërbetorë të këtij populli, unë jam kryeargati juaj në këtë organizatë. Por, nëse duam që ky popull të jetë shërbetor e argat i yni, unë do të jem kryearmiku i kësaj qasjeje.
Ky është aktivisti politik i Alternativës dhe secili që nuk është i këtillë, një ditë do të gjejë rrugë që të mos jetë me ne, ndërsa – siç ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për mua më e rëndësishme është se a jam unë në rrugë të drejtë sesa sa njerëz i kam pas vetes.
E sot, kur e kemi bërë rotacionin politik, ne – si Alternativë – e kemi përsëri detyrim të rikthehemi në tre A-të tona, që janë të përfshira edhe në emrin e partisë sonë. Ne jemi Alternativa, si zgjidhje. Ne jemi alter (ndryshe) dhe nativa (burimore, e lindur). Në emrin tonë është ndryshimi që lind brenda nesh. Sepse, ndryshimi ia fillon me veten tonë. Siç tha Profeti ynë kur u kthye nga një luftë: “Po kthehemi nga një betejë e vogël në një luftë të madhe.” Asgjë nuk është rotacioni i bërë politik në krahasim me punët që na presin. Për ne tek tash ia fillon lufta politike.
Delegatë të nderuar, ne jemi Alternativa e A-së autentike, sepse jemi njësoj si të tjerët organizatë politike, por nuk jemi të njëjtë për nga motivet politike, për nga bindjet, për nga detyrimet dhe për nga angazhimi. Ne jemi partia e vetme që korrupsionin e lufton duke i shkarkuar funksionarët e saj që janë dëshmuar si të tillë. Afrim Gashi i ka shkarkuar dy të tillë, por unë nuk mbaj mend ta ketë bërë ndonjë lider tjetër këtë. Unë uroj të kemi përfunduar me ato veprime, edhe pse nuk përtoj nëse ky numër duhet të jetë edhe 20. Sepse për ne më të rëndësishme janë parimet sesa ngadhënjimet. Më e rëndësishme se a e kemi ruajtur autenticitetin sesa a e kemi fituar deputetin.
Përveç kësaj, ne jemi Autentikë edhe sepse jemi partia e vetme, ama bash e vetme, që ka pasur qëndrim kundrejt atyre që duan ta rrënojnë familjen tradicionale, si dhe jemi të vetmit që e kemi shqiptuar publikisht dhe që kemi insistuar që edhe në programin e koalicionit VLEN të mbetet mbrojtja e familjes tradicionale shqiptare.
Autentikë jemi edhe për shkak se jemi të vetmin që e dëshirojmë bashkimin e koalicionit VLEN, por që e shqyrton pyetjen se pse duhet të bëhet ky bashkim? A bëhet ky bashkim për arsye elektorale apo për arsye programore? Ky është autenticiteti ynë.
Ne jemi Alternativa e A-së autoktone. Kemi lindur nga nevojat autoktone të kombit tonë. Jemi parti e djathtë që mbron vlera të etikës sonë autoktone, që e mbron identitetin tonë autokton, që nuk druan ta shprehë këtë identitet, që mburret me moralin politik dhe që shqiptarinë nuk e ka të importuar, por e ka të lindur.
Ne jemi auotoktonë sepse – siç e kam thënë qëmoti – ne nuk përlotemi as me “Druzhe Tito, mi ti se kunemo” e as me “Enver Hoxha tungjatjeta”. Ne jemi përtej Titos dhe Enverit, sepse kjo ëshët Alternativa autoktone.
Ne jemi autoktonë edhe se jemi të vetmit në historinë politike të shqiptarëve që bashkë me Ukshin Hotin e Adem Demaçin e kemi përmendur pa drojë edhe Nexhip Dragën e Ferhat Dragën e “Bashkimit” ose “Xhemijetit”.
Ne jemi autoktonë, se ishim të vetmit që kemi polemizuar me nacionalizmin e importuar të Arbër Xhaferit dhe të vetmit që iu kemi referuar Murat Labënishtit. Për neve figurë kombëtarë është edhe Sulë Hotla, edhe Ataullah Efendi Kurtishi, ndërsa përveç himnit kombëtar shqiptar, ne e dimë edhe himnin shqiptar të NDSH-së së Azem Moranës.
Dhe, A-ja e tretë është Autonom, që nënkupton se vendimet në këtë parti merren vetëm nga organet e partisë. Ne nuk pranojmë baballarë të kombit, paternalizëm dhe as tutela të huaja. Të gjithë ata që kanë menduar se e kontrollojnë Alternativën me telekomandë, sot janë në prekomandë te BDI-ja. Alternativa parti është autonome dhe ne kemi paguar çmim të lartë që ta mbrojmë këtë parim. Respekt miqve, dora e zgjatur për bashkëpunëtorët, falënderim për dashamirët, por vendimet i marrim ne dhe organet tona.
Kur i mblodhëm nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë më 2021, u shfaqën këmbët e oktapodit, duke na dërguar shkues nga të gjitha anët që ne të tërhiqemi nga ai vendim. Por, ajo ishte punë e kryer. Vendimet e Alternativës i merr Alternativa dhe ne nuk hoqëm dorë. Njësoj siç kujtuan se më 2023 nuk mund të dalim nga qeveria. Por, le që morëm vendim unik dhe dolëm nga qeveria, por ata që na përzunë nga qeveria, sot jo vetëm që i mundëm dhe i dërguam në opozitë, por edhe i përjashtuam nga skena politike.
Delegatë të nderuar, ne shpesh kemi folur për konceptin tonë ideologjik, për idealin politik, për idenë tonë të veçantë, por më duket se në pak raste kemi arritur të shpjegohemi. Prandaj dua të shpjegoj se, ashtu si çdo parti e konsoliduar dhe serioze, edhe organizata jonë politike është krijuar sepse themeluesit e saj e kanë pasur një ide për përfaqësimin ndryshe të shqiptarit në vendin tonë. Këta themelues kanë pasur shpjegime te tjera për identitetin shqiptar në Maqedoni të Veriut. Kanë pasur shpjegime të tjera për temat e etikës publike. Kanë pasur shpjegime të tjera për arsimin, në përgjithësi, dhe për përmbajtjet mësimore në veçanti. Kanë pasur shpjegime të tjera për kulturën dhe artin, duke përfshirë teatrin, letërsinë, pikturën dhe filmin. Kanë pasur shpjegime të tjera për mënyrën e ndryshimit të këtyre çështjeve dhe prandaj e kanë themeluar një organizatë politike. Prandaj, kjo parti ka kuptim vetëm kur i shërben këtij qëllimi, ndërsa çdo zhvendosje e kësaj organizate nga këto qëllime, veçmas kur synime bëhen përfitimet ekonomike të eksponentëve të ndryshëm, ajo shndërrohet në një ndërmarrje komerciale ose shoqatë aksionare. Kjo është arsyeja që më duhet ta përsëris se nëse dikush e sheh partinë Alternativa si shoqatë aksionare, kjo e bën shumë të dallueshëm nga unë dhe kjo një ditë doemos do të na përplasë. Kjo nuk nënkupton që ne nuk do ta ndihmojmë biznesin, sepse atë e kemi detyrim programor, por nuk do të lejojmë që partia të shndërrohet në biznes.
Ky është ideali ynë, ndërsa secili që “fillon të dyshojë në idealet e veta është i dënuar të vdesë para se të vdesë.”, thoshte Abdylqerim Saiti, ish themelues i NDSH-së dhe bashkëpunëtori i Azem Moranës.
Po e përfundoj fjalën time, duke ju falënderuar edhe një herë për besimin, duke ju thënë se kemi shumë punë për të bërë dhe se prej nesh priten rezultate të mëdha. Gjatë kësaj kohe mund të ketë njerëz që do të lodhen dhe që mund të na braktisin, por mos u mërzitni, sepse do të vijnë plot të tjerë me elan të ri dhe fuqi të reja, të cilët do të na ndihmojnë që ta ecim këtë rrugë. Derisa ne besojmë se jemi në Rrugën e Drejtë (me shkronja të mëdha), mos ta kemi drojën se sa jemi, por se kush jemi. Ngase fitorja sidoqoftë është e sigurt, qoftë ajo fitore elektorale ose fitore ideologjike.
Siç thoshte Schilleri: “Bota dëshiron ta nxijë ata që është e ndriçuar, ta ndyjë atë që është e pastër, por ti prapë mos druaj. Gjenden ca zemra të mira, që synojnë kah lartësia dhe fisnikëria.”
Ju faleminderit e mirupafshim në punë e në suksese!
*Ky shkrim është fjalimi i plotë i mbajtur nëkongresin e 6 korrikut të Alternativës.
Kumanovë, 06.07.2024