Afrim Gashi: Gjuha Shqipe ende jo zyrtare – Koha për betejë të re për barazinë

Në emisionin “Public Square” me Ditmir Bushatin, Kryetari i Parlamentit të RMV-së, Afrim Gashi, theksoi se synimi kryesor i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka qenë gjithmonë arritja e barazisë në këtë shtet. Ai theksoi se çështja e barazisë duhet të rihapet në të ardhmen, duke shtuar se po përpiqen të bindin partnerët maqedonas, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, që përdorimi i gjuhës shqipe dhe barazia nuk dëmtojnë askënd.
Duke komentuar ndikimin e mediave, Gashi tha se vendi është në një fazë tranzitore, ku shumë media janë të ndikuara nga forcat politike dhe shpesh përpiqen të krijojnë konfuzion. Ai theksoi se gjuha shqipe, edhe pas Marrëveshjes së Ohrit, nuk arriti të bëhej zyrtare për shkak të formulimit të ndërlikuar që e përkufizon atë si “gjuhën që flasin mbi 20% e popullsisë,” pa e përmendur qartë gjuhën shqipe.
Gashi bëri thirrje që të gjithë faktori politik shqiptar, në pozitë dhe opozitë, të bashkohet në këtë betejë që gjuha shqipe të fitojë statusin përfundimisht si gjuhë zyrtare.