Murtezi: Rezultatet e Ndryshimit do të ndjehen te shqiptarët

Sekretari Organizativ i Alternativës dhe anëtari i kryesisë VLEN, Bashkim Murtezi në podcastin Fol me Nexhat Aqifin në Tv Festa ka deklaruar se rezultatet e Ndryshimit kanë filluar dhe do të ndjehen te shqiptarët.
Porse, Murtezi ka nënvizuar se është tejet optimiste te shpresohet se do të ketë ndryshim rrënjësor brenda një viti kur kemi pasur politika të dështuara 22 vjeçare.
“ Të flasim për ndryshimin të përshpejtuar apo të shpejtë dhe për një afat njëvjeçar të një politike të krijuar 22 vjeçare do të ishte shumë optimiste. Kur jam kyç në politik kam thënë se do të mundohem të ndihmoj ndryshimin. A do ta arrijmë ta bëjmë, nuk e dimë, mirëpo një gjë i kam premtuar familjes time dhe të gjithë atyre që më njohin se si ata të tjerët nuk bëhem. Dhe kjo është motoja e ime tash në politikë dhe besoj e shpresoj shumë që ky ndryshim ka ardhur te shqiptarët dhe rezultatet e këtij ndryshimi do të ndjehen te shqiptarët. Potencova dy herë se kanë qenë politika të dështuara”, deklaroi Murtezi.
Murtezi ka ndarë disa konkluzione nga një analizë që ka bërë në vitin 2016 për rezultatet e politikës shqiptare në Maqedoni.
Ka përmendur Marrëveshjen e Ohrit, e cila nuk ka pasur asnjë presje përparim në dobi të shqiptarëve.
“ Unë diku në vitin 2016 kam bërë një analizë para se të kyçem aktivisht në politikë se cilat janë rezultatet e politikës shqiptare në Maqedoni. Nëse nisemi te Marrëveshja e Ohrit në të cilën thirret shumë BDI e cila marrëveshje nuk ka të bëje me partinë politike BDI, por ka të bëje gjakun e dëshmorëve dhe nga ajo politikë 22 vjeçare shqiptarët nuk arritën ta shtojnë një presje nga ajo Marrëveshje. Edhe më keq, ajo marrëveshje edhe pas 22 apo 23 viteve nuk mund të themi se është realizuar plotësisht”, nënvizoi Murtezi.
Murtezi, vazhdon argumentin duke përmendur zonat e lira ekonomike ku ka pasur një diskriminim të hapur ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“ Në aspektin ekonomik dhe mirëqenies së shqiptarëve ka pasur diskriminim të vazhdueshëm. Nuk mund të flasim për një politikë të mirëfilltë dhe kombëtare apo me interes kombëtar nëse marrim se në të gjitha zonat industriale të asaj kohe që u hapën në Maqedoni, zonat e lira industriale, të gjitha ato në pjesën lindore dhe qendrore të Maqedonisë ishin zona të lira ekonomike me investim shtetëror ku prona jepej nga shtet, infrastruktura bëhej nga shteti, trajnimi i punëtorëve bëhej nga shteti. Dhe në ato momente, flas për vitet 2015-2016 kur bëra atë analizë, kishim mbi 35.000 të punësuar maqedonas në ato kompani private nga investitorët e huaj derisa te shqiptarët ishin zero. Zonat industriale te shqiptarët ishin me partneritet publiko-privat dhe investitori i huaj nuk gjente interesin të futej në ato zona”, deklaroi Murtezi.