Lajme Maqedoni e Veriut

VLEN: BDI le të fillojë vetting-un nga kryetari i saj, le të publikojë sa para ka në llogari Ali Ahmeti

“BDI-së më në fund iu kujtua se duhet të pastrohen nga vetja e tyre nga krimi. Më në fund e qëlluan se ku është krimi,” thuhet nga VLEN.

“BDI, partia që për njëzet vjet i ka trajtuar shqiptarët vetëm si një bazë për një kompani familjare dhe biznes, këto ditë ka njoftuar ‘vetting’ – pastrimin e funksionarëve nga krimi dhe korrupsioni. Shkëlqyeshëm! Më në fund u kujtuan se duhet të pastrohen nga vetja e tyre.

Por, nëse vërtet janë seriozë, le të fillojnë nga lideri i tyre – Ali Ahmeti!

Zotërinj të BDI-së, a jeni të gatshëm të shpjegoni: Si ndodhi që Drin Ahmeti, nipi i Ali Ahmetit, pa investuar asnjë cent, u bë bashkëpronar i qendrës tregtare ‘Soravia’ në Shkup, një objekt me vlerë 30 milionë euro? Nëse ky vetting është i vërtetë, publikoni kontratat, financat dhe bankat që financuan këtë ‘mrekulli’.

Si ndodhi që kompania ‘Tor Industries’ e Drin Ahmetit të fitojë kontrata milionëshe si nënkontraktore për Korridorin 8 dhe rrugën Kërçovë-Dibër? Sa nga ato miliona kthehen në xhepat e partisë?

Pse Ministria e Ekonomisë, e drejtuar nga Kreshnik Bekteshi, nuk e anuloi koncesionin e ‘Everest JD’, edhe pse kompania e Drin Ahmetit ka shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme burimet minerale? Në vend të sanksionit, ai mori tenderë të rinj!

Si ndodhi që Besian Ahmeti, një tjetër nip i Ali Ahmetit, me vetëm 10 muaj përvojë, të marrë një post të lartë diplomatik në Bruksel? Nuk paskemi ditur që talenti për diplomaci qenka i trashëgueshëm me gjak!

Pse Shkumbin Ahmeti, djali i Ali Ahmetit, i cili ka diplomuar në Universitetin e Tetovës si arkitekt, tani drejton një kompani për prodhimin e energjisë dhe, së bashku me kushërinjtë e tij, planifikon të ndërtojë një central fotovoltaik prej 60MW me vlerë 35 milionë euro? A janë këto projekte pjesë e ‘agjendës së gjelbër’ të BDI-së apo thjesht të bankënotave të tyre të gjelbra?

Nëse BDI-ja me të vërtetë dëshiron ‘vetting’, le ta fillojë nga radhët e saj. Le të publikojë sa para ka në llogari Ali Ahmeti, familja e tij dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij të afërt. Le të dëshmojnë se si këta njerëz, të cilët kurrë nuk kanë bërë asgjë tjetër përveç politikës, u shndërruan në multimilionerë.

Por, ne e dimë që kjo është vetëm një shfaqje e rreme. BDI do të flasë për vetting, por nuk do ta prekë krimin e saj. Do të fshihet pas deklaratave boshe, ndërsa pas kuintave vazhdon me të njëjtat skema korruptive.

Prandaj, para se të gënjeni popullin, filloni vetting-un me Ali Ahmetin! Nëse nuk keni guxim për këtë, atëherë ‘lufta juaj kundër krimit’ nuk është asgjë tjetër përveç një mashtrim i ri. Qytetarët tashmë e kanë kuptuar lojën tuaj – BDI dhe krimi janë e njëjta gjë!”, thuhet në deklaratën e VLEN.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *