Lajme Maqedoni e Veriut Top

Vazhdon hetimi për Lotarinë Shtetërore, hetuesit “krehin” vendimet dhe kontratat

Vazhdon hetimi për veprimtarinë e lotarisë Shtetërore të Maqedonisë, si një nga institucionet e dyshuara për keqpërdorime të shumta financiare. Që nga dorëzimi i postit nga ana e Përparim Bajramit tek Aleksandar Klimoski, thuajse çdo ditë, hetuesit krehin vendimet dhe kontratat e realizuara nga drejtori i mëparshëm.

Sipas Radios Evropa e Lirë, për 13 muaj, Lotaria Shtetërore i ka paguar më shumë se 300 mijë euro kompanisë “Hej” për dhënien me qira të ish-restorantit të dasmave “Festina” në Vizbeg, në të cilin ruhen terminalet e lojërave të fatit të blera në vlerën e 19 milionë eurove. Prej korrikut të një viti më parë, Lotaria Shtetërore i paguan nga 25 mijë euro kompanisë “Hej” për qira. Kjo kompani është e njohur në opinion, pasi në krye të saj kanë qenë njerëz të afërt apo të lidhur me familjen e kreut të BDI-së, ish zv.kryeministrit Grubi dhe ish deputetit Jahoski.

Siç bëhet e ditur, hetues të MPB-së dhe Prokurorisë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin po krehin dokumentacionin që ka të bëjë me shpalljet e realizuara, tenderët, kontratat e lidhura dhe çdo dokumentacion tjetër shoqërues për prokurimet publike.

Nën hetim është edhe themelimi i tri kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit: “77 Bits”, “Vezuv” dhe “Mozzart”. Në këto shoqëri, shoqëria aksionare shtetërore ka 51% të pronësisë, ndërsa shoqëritë private nga Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi, bashkëpronarë, kanë 49%. Për këto tri subjekte të reja, shumica parlamentare VMRO-DPMNE – VLEN paraqiti në fillim të korrikut edhe një kërkesë për interpretim autentik të Ligjit për Lojërat e Fatit, duke konsideruar se themelimi i tyre është i paligjshëm dhe se ato duhet të mbyllen. /Alsat.mk

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *