Botë Lajme

Ukrainë, të paktën 9 civilë u vranë nga sulmet ruse

Zyrtarët ukrainas njoftuan se 9 persona kanë humbur jetën ndërsa 23 të tjerë janë plagosur në sulmet që ushtria ruse ka kryer në 24 orët e fundit në rajone të ndryshme të vendit

Zyrtarët ukrainas njoftuan se 9 persona kanë humbur jetën ndërsa 23 të tjerë janë plagosur në sulmet që ushtria ruse ka kryer në 24 orët e fundit në rajone të ndryshme të vendit, transmeton Anadolu.

Kreu i administratës ushtarake të rajonit të Donetskut, Vadym Filashkin tha se 2 persona humbën jetën ndërsa 3 të tjerë u plagosën në sulmet e kryera në rajon nga Rusia.

Kreu i administratës ushtarake të rajonit të Khersonit, Oleksandr Prokudin tha se ushtria ruse kreu sulm ndaj një tregu në rajon dhe se 7 persona humbën jetën. Ai shtoi se 20 persona janë plagosur në sulmet e Rusisë në ditën e fundit.

Në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës thuhet se ushtria ukrainase në 24 orët e fundit ka shkatërruar 9 tanke, 44 automjete të blinduara, 33 topa, 1 sistem të mbrojtjes ajrore, 98 mjete ajrore pa pilot, 3 raketa lundruese, 74 automjete dhe pajisje speciale të ushtrisë ruse ndërsa në këto sulme janë neutralizuar 1.370 ushtarë rusë.

Në 24 orët e fundit ka patur 189 përleshje ndërmjet ushtrive ruse dhe ukrainase, thuhet në deklaratën në të cilën bëhet e ditur se përleshjet më të ashpra kanë ndodhur në drejtim të Pokrovsky dhe Kurakhovsk dhe se ushtria ukrainase ka zmbrapsur 43 sulme në Pokrovsky dhe 31 në Kurakhovsk.

Më tej në deklaratë thuhet se ushtria ruse dje ka kryer 6 sulme me raketa dhe 74 sulme ajrore ndaj vendbanimeve dhe pozicioneve të trupave ukrainase. Rusia sulmoi Ukrainën edhe me 32 mjete ajrore pa pilot (dronë) të tipit “Shahed” prej të cilëve 29 u qëlluan dhe u neutralizuan.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *