Lajme Maqedoni e Veriut

Tetë përpjekje të dështuara për zgjedhjen e kryetarit të Kushtetueses, pritet vazhdimi i seancës

Dështoi edhe sot zgjedhja e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. U votu dy herë për kandidatë të ndryshëm dhe asnjëri prej tyre nuk mori shumicën e kërkuar, pra mbështetjen e të paktën dy të tretave të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve ose të paktën 6 vota, transmeton Portalb.mk.

Për momentin po zhvillohen konsultime mes gjyqtarëve për vazhdimin e kësaj seance.

Seanca për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese filloi më 30 maj dhe deri më tani janë mbajtur tetë raunde votimi.

Duke qenë se kryetari i ri i Gjykatës nuk është zgjedhur ende dhe që Gjykata Kushtetuese të funksionojë pa probleme, gjyqtarët unanimisht morën qëndrimin që çështjet që kanë të bëjnë me menaxhimin duhet të vendosen kolektivisht.

Për kryetar të Gjykatës Kushtetuese deri më tani janë propozuar gjyqtaret Ana Pavlovska Daneva, Tatjana Vasiq-Bozaxhieva dhe Osman Kadriu. Gjyqtarja Ana Pavlovska-Daneva në seancë deklaroi se do të tërhiqet sepse sipas saj nuk dëshiron që kandidimi i saj të jetë shkaktar i krizës kushtetuese.

Gjyqtarja Tatjana Vasiq-Bosaxhieva ka marrë 5 (pesë) vota në të gjitha votat në të cilat është propozuar për kandidate. Po ashtu edhe gjyqtari Osman Kadriu mori të njëjtin numër votash, pra 5 (pesë) në raundin e tetë të votimit në të cilin ishte propozuar.

Procedura për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese vazhdon në përputhje me nenin 7 paragrafi 4 të Rregullores së Punës së Gjykatës, sipas të cilit nëse kandidati nuk merr shumicën e kërkuar, procedura për zgjedhjen e kryetarit përsëritet.

Kreu i ri i Kushtetueses duhet të zëvendësojë kryetaren paraprake, Dobrila Kacarskën, mandati trevjeçar i së cilës skadoi të dielën, më 2 qershor.

Sipas Rregullores së Punës, Gjykata Kushtetuese në seancë zgjedh kryetarin e Gjykatës nga radhët e gjyqtarëve me dy të tretat e shumicës së numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve, me votim të fshehtë.

Kryetarja e deritanishme e Gjykatës Kushtetuese, Dobrila Kacarska, në një konferencë për media më 29.05.2024, prezantoi disa nga aktivitetet gjatë mandatit të saj trevjeçar.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *