Të ndalen krimet ndaj gazetarëve, thirrje e shoqatave
Katër prokurorë në qytetet më të mëdha të Maqedonisë së Veriut do të jenë pika e parë e denoncimit të rasteve të dhunës ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik. Lajmin e bënë të ditur prokurorët e Prokurorisë Themelore të Shkupit dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut. Këto dy institucionet u zotuan për të minimizuar rastet dhunës dhe mosndëshkueshmërisë së dhunës ndaj gazetarëve, raporton Alfax.
“Ajo që mua më shqetëson janë edhe sulmet online ndaj gazetareve femra, i cili padyshim është trend global, por trendet globale më herët apo më vonë vijnë edhe te ne. E kemi ndjerë këtë lloj të sulmeve edhe më herët në praktikë, këtë vit kemi edhe kërcënime eksplicite për jetë ndaj gazetareve femra dhe është diçka që shqetëson dhe do të shqetësojë edhe në të ardhmen”, deklaroi prokurorja përgjegjëse për raportimin e rasteve të dhunës ndaj gazetarëve në Shkup, Iskra Haxhivasileva.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Mlladen Çadikovski bëri thirrje për ulje të tensioneve parazgjedhore dhe tha se të gjithë duhet të bashkëpunojnë për të parandaluar dhunën ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik.
“Sulmet ndaj gazetarëve në periudha zgjedhore kryesisht vijnë nga anëtarë partish politike. Dhe kjo pas ndonjë thirrjeje të udhëheqësve të tyre. Po i afrohemi vitit zgjedhor, tensioni po rritet, por do të kërkojmë mënyra me institucionet që ta kanalizojmë këtë tension në nivele normale politike e jo në një që prodhon dhunë”, deklaroi kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, Mlladen Çadikovski, raporton Alfax.
Prej vitit 2020 e deri këtë vit, janë regjistruar 30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik.