Kosovë Lajme

Takimi i parë pas sulmit terrorist në Banjskë mes Kurtit dhe Vuçiqit

Pas gati 10 muajsh sot do të mbahet takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Ky do të jetë një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas Qeverisë së Kosovës fokusi i këtij takimi “do të jetë zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj dhe rruga përpara”.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha më 24 qershor se shpreson të ketë përparim në dialog dhe kujtoi se ekziston një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila duhet të zbatohet në terren.

Ai tha se “ka problem” sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, por theksoi domosdoshmërinë e mbajtjes së një takimi të nivelit të lartë “për të ditur se ku jemi”.

Po ashtu ky do jetë takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, pas ngjarjeve në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – më 24 shtator të vitit të kaluar, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau një polic.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *